Ka filluar punimet e para Këshilli për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, i themeluar dhe i kryesuar nga presidentja Vjosa Osmani. Funksioni i këtij trupi, i cili është themeluar pas zotimit të Kosovës në Samitin për Demokraci të organizuar nga presidenti amerikan, Joe Biden, është koordinimi i aktiviteteve ndërinstitucionale në luftën kundër korrupsionit
Një trup i ri koordinues, i cili është i përbërë nga krerët kryesorë të institucioneve ekzekutive, legjislative dhe të drejtësisë, si dhe nga pjesëtarë të shoqërisë civile, të martën ka nisur punën.
Themelimi i këtij organi, i cili kryesohet nga presidentja Vjosa Osmani, ishte zotim i Kosovës në Samitin për Demokraci, i thirrur nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden. Duke e hapur mbledhjen e parë të Këshillit, Osmani ka thënë se demokracia nuk duhet të merret si e mirëqenë dhe se duhet avancuar në vazhdimësi.
“Ngjarjet në Evropë sot na dëshmojnë, por edhe në vendet e ndryshme në botë se demokracia kurrë nuk është një projekt i përfunduar. Përkundrazi, demokracia kërkon vazhdimisht që të mirëmbahet në mënyrë që të sofistikohet, të avancohet dhe të mbrohet. Në këtë frymë, si dhe konform zotimeve të Republikës së Kosovës që i kemi paraqitur gjatë Samitit për Demokraci, jemi angazhuar për themelimin e një këshilli koordinues”, ka thënë Osmani.
Avancimin në luftimin e korrupsionit, autoritarizmit dhe shkeljes së të drejtave të njeriut, kryeministri Albin Kurti e ka vlerësuar lart edhe për aspiratat ndërkombëtare të Kosovës.
“Përmes themelimit të Këshillit për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut, përmes shkëlqesisë së saj, Vjosa Osmani, Kosova do të ketë mundësinë për të dëshmuar para të gjithë botës përmbushjen e zotimeve të veta në këto fusha”, ka deklaruar Kurti.
Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, ka theksuar se aplikimi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian do t’u shërbejë çështjeve të të drejtave të njeriut.
“Vënia e fokusit për këtë vit për anëtarësimin në Këshillin e Evropës, i cili në radhë të parë u shërben të drejtave të njeriut të qytetarëve të vendeve anëtare të shteteve të Evropës, do të ishte ndoshta hapi më substancial që do ta arrinim në këtë drejtim, por po ashtu edhe në forcimin e demokracisë së mirëfilltë. E po ashtu edhe aplikimi në Bashkimin Evropian shkon në të njëjtin drejtim”, ka thënë Gërvalla.
Anëtarët e këshillit e kanë votuar themelimin e katër grupeve punuese për luftimin e korrupsionit, për demokracinë, barazinë gjinore dhe të drejtat e njeriut. Pjesë e tij janë institucionet, si Këshilli Gjyqësor, Këshilli Prokurorial, Agjencia Kundër Korrupsionit dhe Agjencia për Barazi Gjinore, ndërkaq nga radhët e organizatave joqeveritare në përbërje janë përfaqësuesit e IKD-së dhe “Democracy Plus”.