Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Pas arrestimit, lirohet 81-vjeçari që u përplas me kryesindikalistin e mësimdhënësve

Musli Rexhepit i është ndaluar që t’i afrohet kreut të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharajt, në afërsi prej 500 metrash.

Pasi shkolla nuk i hapi dyert për mbesën e tij shkaku i grevës, 81-vjeçari ka pasur një përplasje me kryesindikalistin e mësimdhënësve, në një tubim në shkollën “Ismail Qemali” në kryeqytet. Pas kësaj, u ndalua nga Policia, por të mërkurën është liruar nga paraburgimi dhe do të mbrohet në liri nëse i përmbahet ndalesës së vendosur nga gjykata.

Ashtu siç shihet në pamje të xhiruara nga ekipi i KOHËS, pensionisti dëshironte të merrte fjalën në takimin e së hënës, por nuk iu mundësua, e pastaj situata pati përshkallëzuar.

Pas lirimit, 81-vjeçari thotë se qëllimi i tij nuk ishte të krijonte tollovi, por vetëm dëshironte të kërkonte nga kreu i SBASHK-ut që ta ndërpresë grevën në arsim.

“Qëllimi jem ka qenë dhe është me u çel shkollat, të fillojë mësimi se unë me padurim po pres që ta shoh mbesën time në bankat shkollore”, u shpreh Rexhepi.

Edhe Vërejtje gjyqësore ndaj të akuzuarit që tentoi ta sulmonte Rrahman Jasharajn Kronikë Vërejtje gjyqësore ndaj të akuzuarit që tentoi ta sulmonte Rrahman Jasharajn

Qëndrimi për 48 orë në paraburgim për 81-vjecarin ishte i rëndë dhe tha se më së shumti i ka munguar mbesa.

“Këta mos e përjetoftë as armiku”. “Jo, e vogël nuk kam mundur të bisedoj, pasi nuk më kanë lënë as telefon, tani me gëzim po shkoj që ta përqafoj", tha ai.

Për avokatin e tij Tomë Gashi ndalimi prej 48 orëve për të moshuarin është i pajustifikueshëm.

“Besoj që ndalimi i zotëri Rexhepit ka qenë krejtësisht i panevojshëm e le më një kërkesë për caktimin e masës së paraburgimi,t gjë që ka qenë juridikisht krejtësisht e pajustifikueshme”, pohoi Gashi.

Fillimisht incidenti u cilësua si kanosje nga Policia, ndërkaq Prokuroria ndryshoi kualifikimin juridik duke ngritur aktakuzë ndaj pensionistit, për veprën penale “cenim i të drejtës në grevë”.

Pas rastit, Rrahman Jasharaj kishte deklaruar se nuk ka pasur goditje nga i moshuari.

Edhe Jasharaj: Greva vazhdon, me linçimet që më u bënë s’po guxoj të dal në rrugë vetë Arbëri Jasharaj: Greva vazhdon, me linçimet që më u bënë s’po guxoj të dal në rrugë vetë

“Nuk kam pasur asnjë goditje, përveçqë ka tentuar të më mbajë për dore”, ka thënë Jasharaj.

Që nga 25 gushti, punonjësit e sektorit publik, të cilëve u janë bashkuar edhe mësimdhënësit, janë në grevë të përgjithshme. Sindikalistët kërkojnë 100 euro shtesë mbi pagë, deri në kohën kur të miratohet e të hyjë në fuqi Ligji për Paga.