Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës asnjëherë nuk ia kanë kërkuar Kosovës një marrëveshje finale me Serbinë pa përfshirjen e njohjes reciproke. Në një konferencë të përbashkët për media me presidentin e Maltës, George Vella, i cili ka qëndruar për vizitë në Kosovë, Osmani ka theksuar se njohja reciproke është zgjidhja e vetme që sjell paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon. E homologu i saj nga Malta ka thënë se shteti i tij e mbështet fuqishëm rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Mbështetje për agjendën evropiane të Kosovës ka dhënë gjatë ditës presidenti i Maltës, George Vella, i cili qëndroi në Prishtinë, ku u prit nga homologia e tij Vjosa Osmani.
Në një konferencë të përbashkët për media, të dy presidentët i bën thirrje Bashkimit Evropian që t’i hapë dyert për qytetarët e Kosovës.
“Duhet ta kuptojmë që Bashkimi Evropian i ka disa rregulla për mbrojtjen e kufijve të tij, nuk është në interesin e tyre që t’i lejojë njerëzit prej disa rajoneve specifike të udhëtojnë lirshëm në territorin e tyre, por meqenëse Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret, gjë që e ka konfirmuar edhe Komisioni Evropian para katër vjetësh, prandaj nuk e kuptoj çka e pengon Bashkimin Evropian që të hapet për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Vella.
Duke folur edhe për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi, presidentja osmani ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës asnjëherë nuk kanë kërkuar nga Kosova një marrëveshje finale me Serbinë pa njohje reciproke.
“Megjithatë, nuk ka pasur kërkesë qoftë nga Shtetet e Bashkuara, qoftë nga partnerët tanë nga Bashkimi Evropian , asnjëherë që Kosova të heqë dorë nga kërkesa për njohjen reciproke, pasi të gjithë e kuptojnë që ajo është domosdoshmëri e cila e përmbyll një kapitull të dhimbshëm të asaj çfarë ka ngjarë”, ka thënë Osmani.
Thirrjes së ndërkombëtarëve që afati për konvertimin e targave të automjeteve i paraparë deri më 31 tetor të shtyhet për 10 muaj të tjerë, presidentja Osmani i është përgjigjur negativisht.
Ajo ka thënë se qytetarët nga komuniteti serb kanë pasur mjaftueshëm kohë për konvertimin e targave në RKS.
“Jo vetëm që është e paligjshme, por është edhe e pamoralshme që targat e Milosheviqit të ecin lirshëm nëpër Kosovë. Kosova është shtet i sundimit të ligjit, shtet ku të gjithë qytetarët trajtohen të barabartë dhe duhet t’i jepet fund ndikimit të bandave kriminale të cilat i kërcënojnë qytetarët serbë”, ka shtuar Osmani.
Presidenti maltez është pritur në takime të ndara edhe nga kryeministri Albin Kurti dhe kryekuvendari Glauk Konjufca, të cilët, po ashtu, i kërkuan mbështetje për agjendën evropiane të Kosovës.