45 liderë evropianë janë mbledhur të enjten në Danimarkë për të diskutuar në lidhje me kërcënimet, me të cilat përballet kontinenti. Presidentja Vjosa Osmani ka përmendur Rusinë e Serbinë si kërcënim për Kosovën, derisa BE-së i ka bërë thirrje të ndryshojë trajtimin për këto dy vende
Presidentja Vjosa Osmani i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të mos e përkëdhelë Serbinë, duke thënë se ajo është satelit i Rusisë në Ballkanin Perëndimor.
Në deklarimin për media, para fillimit të Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Danimarkë, Osmani ka thënë se Rusia e Serbia paraqesin kërcënim për Kosovën.
“Për Bashkimin Evropian dua të them se historia tregon se përkëdhelja e diktatorëve e autokratëve kurrë nuk çon te paqja e qëndrueshme. Fatkeqësisht përkëdhelja e diktatorëve historikisht ka çuar në inkurajimin e tyre për të përdorur më shumë dhunë kështu që thirrja jonë është që të jenë shumë të kujdesshëm se si sateliti i Rusisë në rajonin tonë trajtohet dhe të mos lejohen që ta vazhdojnë dhunën”, ka thënë Osmani.
Sipas Osmanit, shtetet që kanë zgjedhur BE-në e jo Rusinë, duhet të shpërblehen.
“Është shumë e rëndësishme që shtetet anëtare të BE-së të kuptojmë që shpërblimi i Serbisë se është duke qëndruar me Rusinë nuk është rruga përpara. Shtetet që janë 100 për qind në linjë me BE-në duhet të shpërblehen jo ata që e kanë zgjedhur Moskën si rruga e tyre përpara”, ka deklaruar ajo.
Në kuadër të Samitit, Osmani të enjten ka takuar edhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Në njoftimin e saj nga takimi, Osmani ka deklaruar se ka riafirmuar gatishmërinë e Kosovës për koordinim në mbrojtje të paqes e sigurisë në Kosovë e më gjerë.
“Ky takim ishte një mundësi e shkëlqyer për të riafirmuar gatishmërinë tonë për koordinim të rregullt në mbrojtje të paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe të gjithë Ballkanin Perëndimor. Theksova po ashtu rolin vendimtar të NATO-s në garantimin e stabilitetit rajonal, si dhe përkushtimin e Kosovës për të qenë partnere e besueshme në përballjen me sfidat e përbashkëta”, ka thënë Osmani.
Samiti - i shtati me radhë i Komunitetit Politik Evropian, ka mbledhur 45 udhëheqës, përfshirë presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Diskutimet janë përqendruar në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes në Evropë.