LAJMET E MBRËMJES

Osmani: Kosova e përkushtuar për paqe e stabilitet, në koordinim me aleatët

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Kosova është e përkushtuar në paqe e stabilitet në vend e rajon, në koordinim me aleatët. Pas takimit që të hënën kishte me guvernatoren e Iowa-s, Osmani theksoi rëndësinë e marrëdhënieve me SHBA-në drejt arritjes së synimeve që kanë.

Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë në fokus të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, nga takimi që të hënën zhvilloi me guvernatoren e Iowa-s, Kim Reynolds.

Në një pjesë të deklaratës së saj pas takimit, Osmani foli për marrëdhëniet me SHBA-në, për të cilat tha se mbeten ekzistenciale për Kosovën.

Kryetarja e shtetit theksoi kontributin e SHBA-së për pavarësi e për arritjen e synimeve në arenën ndërkombëtare.

“Fuqizimi ndërkombëtar i Republikës sikurse edhe në përmbushjen e prioritetit tonë shtetëror që është anëtarësim në NATO dhe në BE e shohim të mundshëm vetëm me përkrahjen dhe bashkërisht me forcat aleate strategjike, siç janë partnerët tanë në SHBA”, tha Osmani.

Zhvillimet në fushën e sigurisë ishin po ashtu temë e diskutimeve me guvernatoren e Iowa-s.

Sipas Osmanit, Kosova në koordinim me aleatët ndërkombëtarë është e përkushtuar për paqe e stabilitet në vend e rajon

Ky qëndrim i presidentes është bërë në kohën kur autoritetet shtetërore të Kosovës janë kritikuar nga bashkësia ndërkombëtare për mospërfillje të kërkesave të tyre drejt shtensionimit të situatës në veri.

Paraprakisht Osmani e guvernatorja e Iowa-s, Kim Reynolds, përmes nënshkrimit të marrëveshjes ripërtërinë marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve.

Marrëdhëniet me Kosovën u vlerësuan edhe nga guvernatorja amerikane,

“Ripërtëritja e marrëveshjes për shtet si motër mendoj se vetëm na bashkon edhe më tej dhe është shumë frytdhënës dhe premtues, siç ka qenë kjo marrëdhënie dhe me të vërtetë besoj që ditët më të mira do të vijnë në të ardhmen” theksoi Reynolds.

Derisa nga presidentja Osmani u tha se me marrëveshjen e re do të hapen kapituj të rinj të bashkëpunimit.

“Kjo marrëveshje do të luajë rol jetik në zhvillimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme të interesit të ndërsjellë, përfshirë arsimin, kulturën, turizmin, tregtinë e fushën e energjisë, si dhe do të krijojë instrumentet për koordinim të shtuar në mes të dy vendeve tona, edhe në fushën e mbrojtjes, një bashkëpunim ky që ka qenë esencial ndërmjet FSK-së dhe Iowas…”, shtoi Osmani.

Guvernatorja Reynolds është pritur edhe nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e ministrja për Punë të Jashtme, Donika Gërvalla.