LAJMET E MBRËMJES

Osmani kërkon nga Kushtetuesja të mos lejojë që Kosova të mbahet peng nga Lista Serbe

Presidentja Vjosa Osmani ia ka dërguar Gjykatës Kushtetuese komentet rreth ankesës së Listës Serbe për mënyrën e votimit të nënkryetarëve të Kuvendit. Ajo kërkoi që Kushtetuesja ta mbrojë Republikën nga partia e serbëve të Kosovës, për të cilën tha se e ka për synim bllokimin e shtetit. E çdo vendim ndryshe i Gjykatës sa i përket lëndës që Lista Serbe e dërgoi në Kushtetuese, ajo tha se do të rrezikonte me legjitimimin e rrezikshëm të bllokadave

Moszgjedhja e nënkryetarit të pestë nuk duhet të jetë pengesë që Kuvendi të konstituohet, ka thënë presidentja Vjosa Osmani, pasi ia dorëzoi Gjykatës Kushtetuese komentet rreth ankesës së Listës Serbe për mënyrën e votimit të nënkryetarëve.

Në konferencë shtypi, të martën, ajo vlerësoi se bllokimi i Kuvendit shkaku i një nënkryetari i cenon seriozisht funksionalitetin dhe vlerat institucionale.

Osmani tha se Lista Serbe e synon bllokimin e shtetit, për çka shtoi se pret që Kushtetuesja t’i njohë këto qëllime të saj dhe të mos lejojë që Kosova të mbahet peng i një partie politike.

E çdo vendim ndryshe i Gjykatës, sipas Osmanit, i legjitimon bllokadat e tilla.

“Ne kemi kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të mos lejojë që kushdo të ketë të drejtën e vetos mbi procese jetike për shtetin, siç është konstituimi i organit më të lartë të shtetit tonë, organit më të lartë përfaqësues. Çdo përcaktim ndryshe rrezikon që të legjitimojë bllokime procedurale të rrezikshme në nivel të normës kushtetuese juridikisht të detyrueshme”, ka thënë Osmani.

Osmani e quajti çështje tretësore votimin ndaras të nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve, për të cilën theksoi se nuk ka dërguar komente. 

“Sa i përket çështjes së pakos, nuk kemi dërguar komente lidhur me këtë çështje, sepse më duket çështje komplet dytësore, tretësore apo edhe më poshtë. Çështja parësore, çështja kapitale, të cilën sot e ka Gjykata Kushtetuese para vetes, është se a do ta mbrojë Republikën nga vetoja e një komuniteti a një partie, në fakt jo komuniteti, një partie që përfaqëson komunitetin e cila as nuk e njeh këtë Republikë”, ka thënë ajo.

Presidentja tha po ashtu se Kuvendi është konstituuar në frymë kushtetuese, porse shtoi se nuk do ta kërkojë emrin e mandatarit për Qeveri, pa përfunduar masa e përkohshme e Kushtetueses.

“Në momentin që të skadojë masa, me shpresën që do të ketë vendim në frymën pozitive të konstituimit, po atë ditë do ta thërras partinë e parë dhe menjëherë do të procedoj edhe me caktimin e mandatarit, edhe pastaj punët e tjera janë në duart e partive kush e krijon shumicën, si e krijojnë shumicën, si votohet qeveria, ato pastaj janë jashtë këtij institucioni”, ka deklaruar Osmani.

Por publicisti Veton Surroi vlerëson se është shumica shqiptare, e jo vetë serbët, ajo që e pengoi konstituimin e Kryesisë së Kuvendit, duke mos e zgjedhur asnjë kandidat nga komuniteti serb.

“Komuniteti serb nuk ka bllokuar, nuk ka vënë veto e as s’ka penguar konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Me propozimet e veta i ka dhënë mundësi shumicës që ta bëjë zgjedhjen e tërësisë së Kryesisë së Kuvendit. Shumica nuk e ka zgjedhur asnjë kandidat të propozuar nga dy subjektet politike që përfaqësojnë komunitetin serb. Kështu ka penguar kompletimin e Kryesisë së Kuvendit dhe njëkohësisht përmbushjen e një të drejte kushtetuese të komunitetit serb”, ka thënë Surroi.

Kritik ndaj qasjes së presidentes u shpreh analisti politik, Ilir Deda, që e vlerësoi të paqëndrueshëm argumentin e saj për konstituimin e Kuvendit, duke përdorur referenca të seancave konstituive të parapavarësisë.

“Po ndalem veç te një pjesë - për Kuvend, NUK mund të merret si argument asnjë rrethanë para aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese të viteve 2014 dhe të përsëritura në 2025 - sidomos jo ato raste kur Kosova nuk ka pasur as Kushtetutë e as Gjykatë Kushtetuese, e as që ka qenë shtet - pra gjatë kohës së UNIMK-ut”, ka thënë Deda.

Osmani u pyet në konferencë edhe nëse përbën shqetësim për të që komentet e saj mund t’i trajtojë edhe gjyqtari Radomir Llaban, të cilin më herët e pati kualifikuar kërcënim për sigurinë kombëtare, porse ajo tha që ai nuk është gjyqtar raportues dhe ka të drejtë të vetëm një vote.