Presidentja Vjosa Osmani ia ka ndarë post-mortem urdhrin “Heroi i Kosovës” rreshterit Afrim Bunjaku. Në mbledhjen komemorative në nder të policit të rënë në detyrë, Osmani tha se Bunjaku qëndroi i palëkundër në mbrojtje të ligjit dhe kundër grupeve terroriste të mbështetura nga Serbia. E familjarët e kolegët shprehën krenari për punën dhe shërbimin që ofroi rreshteri Bunjaku për 22 vjet në detyrë
Vajza e rreshterit Afrim Bunjaku, Arbenita, e quajti babanë e saj hero dhe u shpreh krenare me punën e tij për 22 vjet në uniformë policore.
Në mbledhjen komemorative të mbajtur të hënën, në nderim të jetës e veprës së rreshterit të vrarë të dielën në Banjskë të Zveçanit, e bija e tij tha se babai i saj u flijua për liri.
“Hyra brenda në shtëpi dhe ty s’të pashë. Është shumë e rëndë për mua. Vendin tënd në shtëpi s’e zëvendëson askush. Të gjitha na i mësove, por si të jetojmë pa ty asnjëherë. Babi ishe njeri i dashur për familje, shoqërinë, ashtu edhe për punën ku flijove jetën për liri, për këtë vend. Që ne dhe Kosova të gjithë të jemi krenarë me ty me heroizmin tënd, mundin dhe punën qe e ke bërë çdoherë për ketë vend, të premtoj babi se do të jemi krenarë me ty”, theksoi Arbenita Bunjaku.
Polici Avni Behrami, që punoi me Bunjakun për shumë vjet, e kujtoi atë si prijës të dalluar. Tha se i ka mbetur peng që në ditën kritike nuk ishin së bashku në terren.
“Se kam jetuar me të, kam punuar me të ndoshta edhe kafshatën e fundit bashkë me të e kam ndarë, e më ka mbet pikë që qysh nuk qëllova në atë moment me dhënë atë kontributin edhe unë, ndoshta edhe unë kisha shku baras me të por të paktën të qëlloja aty me të”, theksoi Behrami.
E presidentja Vjosa Osmani ia ka ndarë post-mortem urdhrin “Heroi i Kosovës”, policit Afrim Bunjaku. Atë e pranuan dy djemtë e tij, Jetlumi dhe Fatlumi.
Osmani tha se Bunjaku qëndroi i palëkundër në mbrojtje të ligjit dhe kundër grupeve terroriste të mbështetura nga Serbia.
“Siç e dini jeta e një oficerit policie është jetë e sakrificës dhe e guximit. Afrim Bunjaku sikur të gjithë pjesëtarët e tjerë të Policisë së Kosovës, dje u sfidua nga bandat terroriste të dirigjuara nga Serbia dhe bën atë që duhet, mbrojtën ligjin, mbrojtën integritetin territorial dhe sovranitetin tonë dhe vunë në vend dinjitetin”, theksoi Osmani.
Kryeministri Albin Kurti tha se puna e rreshterit dhe e ekipit të tij është dëshmi se institucionet e kanë për qëllim vendosjen e rendit dhe ligjit në gjithë vendin.
“Nga dje, asgjë më nuk mund të jetë njësoj, faktet dolën sheshazi përballë nesh, në sytë tanë dhe të bashkësisë ndërkombëtare si dhe në sytë e secilit që ka kurajo dhe vullnet për ta parë të vërtetën e rajonit në të cilin jetojmë. Ky reagim profesional dhe i matur i institucioneve të Kosovës dje, ishte në përputhje me vetë natyrën e shtetit tonë demokratik dhe properëndimor”, deklaroi Kurti.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se shërbimi që ka ofruar 50-vjecari është udhërrëfyes për zyrtarët policorë.
Afrim Bunjaku nga Samadrexha e Vushtrrisë, u vra të dielën në mëngjes nga serbë të armatosur, në kohën kur Policia po e kryente një operacion operativ për heqjen e një bllokade që ishte vendosur në fshatin Banjskë të Zveçanit.