Presidentja Vjosa Osmani, në një intervistë për tabloidin britanik “The Sun”, shprehu zhgënjimin që njohja reciproke nuk u përfshi në Planin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. E ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James Rubin, në një intervistë për Radio Evropën e Lirë thotë se për SHBA-në njohja reciproke është rruga e duhur e veprimit teksa e shprehu qëndrimin se Marrëveshja e Ohrit e ka mundësinë e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve
Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur zhgënjimin që njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë nuk u përfshi në Planin evropian.
Në një intervistë për tabloidin britanik “The Sun”, ajo tha se njohja e ndërsjellë është zgjidhja e vetme që do t’i garantojë paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajon.
“Kjo është zgjidhja e vetme që mund të çojë në paqe dhe stabilitet afatgjatë. Serbia duhet të arrijë në atë pikë ku të kuptojë se realiteti i Kosovës, si shtet i pavarur e sovran, është një realitet që do të ekzistojë përgjithmonë. Pra, sa më shpejt dhe sa më shumë që partnerët tanë ta thonë këtë dhe t'ia bëjnë të qartë Serbisë, aq më mirë për Serbinë, aq më mirë për rajonin dhe sigurisht për marrëdhëniet tona”, tha Osmani.
E James Rubin, ish-ndihmëssekretar amerikan i Shtetit, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë theksoi se për SHBA-në njohja reciproke është rruga e duhur e veprimit, ndërkaq shtoi se Marrëveshja e arritur në Ohër ka mundësinë që t’i normalizojë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës e Serbisë.
“Si realist, si diplomat, dua të them se jam i inkurajuar që procesi që ka zhvilluar Bashkimi Evropian ka mundësinë t’i normalizojë marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, ta lejojë Kosovën të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, ta lejojë Kosovën të jetë pjesë e NATO-s, të lejohet Kosova të jetë pjesë e Këshillit të Evropës. Këta do të ishin hapa të mëdhenj përpara për këtë vend për të cilin kam një ndjenjë të veçantë dhe një dashuri të veçantë”, tha Rubin.
Rubin, aktualisht përgjegjës i Qendrës Globale të Angazhimit, organ ky i Departamentit amerikan të Shtetit për ekspozimin dhe kundërvënien e propagandës dhe dezinformimit, tha se në procesin e dialogut Kosovë-Serbi ka pasur ndikim dezinformimi.
“Unë mendoj se i gjithë rajoni është i cenueshëm në përgjithësi ndaj problemit, sepse mediat përhapen gjerësisht në rajon nga shumë vende të ndryshme. Natyrisht, një pjesë e madhe e saj vjen nga Serbia. Dhe, ky është një problem i madh që duhet të adresohet”, tha Rubin.
Rubin gjatë javës ka qëndruar në Malin e Zi dhe pritet të vizitojë edhe Maqedoninë e Veriut për trajtimin e problemit rajonal me dezinformata. E shkaku i angazhimit të tij për çlirimin e Kosovës, ai tha se nuk e sheh veten si diplomatin më të mirë për t’u takuar me zyrtarë të Qeverisë serbe.