Dialogu me Serbinë, problemet me librat shkollorë e dyshimet për afera korruptive, janë ndër çështjet për të cilat nga opozita thonë se Qeveria aktuale duhet shkarkuar. Megjithëse në mbledhjen e parë të Kryesisë pas nisjes së sesionit vjeshtor pati dakordim për caktimin e seancës për të enjten, partitë opozitare paralajmëruan se angazhimi i tyre do të jetë për t’ia shkurtuar mandatin kësaj qeverie
Mes pritjeve të pushtetit për më shumë efikasitet dhe paralajmërimit të opozitës për t’ia ndërprerë mandatin Qeverisë aktuale, kanë nisur punimet e sesionit vjeshtor të Kuvendit të Kosovës.
Në mbledhjen e Kryesisë të hënën u vendos që seanca e radhës të mbahet më 15 shtator, ku në rend dite do të jetë shqyrtimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare, si dhe vazhdimi i seancës për librat shkollorë.
Ecuria e dialogut me Serbinë është ndër temat për të cilat opozita konsideron se Qeveria Kurti nuk ka më legjitimitet për të qëndruar në pushtet.
“Përderisa jemi të sanksionuar nga BE-ja e SHBA-ja nuk mund të flasim për avantazhe të Kosovës. Ky është një dëm i madh që i ka bërë vendit kjo qeveri. Nuk mund të paragjykojë për takimin e radhës më 14 shkurt edhe për shkak të jo transparencës dhe mos zbatimin e rezolutave të deritashme. Sot vendi është në situatë të palakmueshme në raport me partnerët, prandaj angazhimi është që t’ia shkurtojmë jetën kësaj qeverisje. Vazhdimi i kësaj qeverisjeje do të thotë vazhdimësi e izolimit të vendit. Njerëzit nuk po shohin perspektivë dhe tendenca për me lëshu vendin është shqetësuese”, tha Tahiri.
Tahiri e ka cilësuar degradim dhe nënçmim mënyrën se si Qeveria po tenton t’ua shkurtojë mandatin kryetarëve shqiptarë në veri.
Nga LDK-ja kanë paralajmëruar se në Kuvend do të sillen varësisht prej qëndrimit të Qeverinë sa i përket dialogut dhe votimit të projektligjeve në Kuvend.
“LDK ka përkrahur marrëveshjet ndërkombëtare me përjashtim të atyre që janë sa për sy e faqe, sikurse ajo për mbikëqyrjen sociale. Marrëveshjet tjera kur nuk kanë marrë votën e LDk-së kanë qenë sjellja oportuniste e kësaj qeverie. Sa i përket dialogut, nuk kemi pritje pasi përgjimet kanë treguar edhe fytyrën e vërtetë të dialogut dhe kësaj qeverie. Serbia vazhdon të jetë e favorizuar në këto takime”, tha Zemaj.
E shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se në seancën e radhës kryetari i tyre, Ramush Haradinaj, do t’i shpalosë disa qëndrime rreth dialogut.
“Si po udhëhiqet aktualisht dialogu, ai po e mban peng Kosovën, po e thellon krizën dhe po e dëmton vendin në rrafshin e brendshëm dhe të jashtëm...9 muajt e kuvendit të këtij viti kanë qenë muajt dhe periudha më e dështuar dhe me më pak rezultate. Kemi një shumicë parlamentare por unë do t’i pyesja qytetarët nëse e dinë që është votu ndonjë ligj për rregullimin e jetës së tyre. Tash duhet të jemi efikas në dy apo tri tema që janë të rëndësishme për neve”, tha Tahiri.
Por shefja e Grupit parlamentar, Mimoza Kusari-Lila, ka folur për gatishmërinë e palës kosovare që të normalizohen marrëdhëniet me Serbinë.
“Besoj se ajo çfarë Kosova ka treguar është përkushtimi për zbatimin e marrëveshjeve. Palë destruktive është Serbia me sabotimin që po ia bënë procesit dhe ndërhyrjet në Kosovë. Dihet se kush e ka eskaluar deri tash situatën në vend. Kosova nuk mund te jetë njëanshëm subjekt i trajtimit, jemi të përkushtuar rreth dialogut për normalizimin dhe arritjen e njohjes së ndërsjellë”, tha Kusari-Lila.
Seanca e Kuvendit do të mbahet më 14 shtator, ditën kur në Bruksel zhvillohet takimi i nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.