Përfaqësuesit e grupeve parlamentare nga opozita kanë kërkuar që kryeministri Albin Kurti t’i shpalosë detajet e draftit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i propozuar nga pesëshja e diplomatëve euro-amerikanë. Në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit u vendos që të premten Kurti të raportojë për dialogun
Se çfarë diskutoi më 26 tetor në Bruksel me liderët evropianë, kryeministri Albin Kurti pritet të raportojë të premten në Kuvend.
Raportimi i tij para ligjvënësve u kërkua nga opozita të hënën, në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit.
“Kemi marr konfirmimin nga kryetari i Kuvendit, që kryeministri do të jetë ditën e premte. Ne ishim fleksibil për ditën e enjte apo të premten kur do që të jetë e përshtatshme edhe për kryeministrin edhe për mazhorancën. Ne normalisht që s’kemi komunikim me të, mirëpo një deklarim të tillë kemi pasur nga kryetari i Kuvendit, dhe një raportim i tillë do të ndodhë ditën e premte”, theksoi shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
Opozitarët nga Kurti presin informata të detajuara se çka përmban drafti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i propozuar nga pesëshja e diplomatëve euro-amerikanë më 21 tetor.
Deklarimet publike të kryeministrit Kurti, se i është kërkuar nga emisarët që të mos shpalosë detaje të planit, nga opozita i kanë quajtur absurde.
“Obligimet që i ka marr kryeministri nuk duhet të mbahen fshehtë. Pra është një dokument që është pranuar i cili do të ketë ndikimin në strukturat organizative të shtetit të Kosovës, nuk ka pse të mbahet sekret në publik, sepse është dokument që është pranuar nuk është më dokument pune”, deklaroi shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Arben Gashi.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se sjellja e Kurtit është e papranueshme.
“Është e papranueshme një sjellje si me qenë monark i kryeministrit, ne jetojmë në demokraci jo në mbretëri, prandaj ky raportim është i domosdoshëm për të treguar transparencës por edhe me jap llogari në Kuvend. Është e pafalshme në qoftë se veprime dhe qasja e cila ka qenë në Bruksel ta dëmtojë vendin e të mos diskutohen në Kuvendin e Kosovës”, tha ai.
E shefja e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se partia e saj është e njoftuar me përmbajtjen e draftit për Asociacionin.
“Ne si grup parlamentar jemi të informuar për përmbajtjen e draftit të parë gjegjësisht të pikave kryesore, të cilat po se janë në përputhje me Kushtetutën, por gjithashtu dhe nuk janë në versionin final. Do të thotë kjo është një punë në proces nuk kemi të bëjmë me diçka të finalizuar ende, ju e dini që nuk ka pasur nënshkrim të marrëveshjes në Bruksel”, theksoi ajo.
Përveç seancës të së premtes, këtë javë Kuvendi do të mbajë seancë edhe të enjten. Nga Partia Demokratike e Kosovës kanë njoftuar se do të kërkojnë miratimin e një rezolute për kërkesat e minatorëve të “Trepçës”, të cilët janë në grevë qe një javë.