Me 40 minuta vonesë u desh të nisej seanca e Kuvendit për shkak të një pike që nuk ishte në rend dite e që opozita tentonte ta fuste.
Përkrahjen për të nuk e gjente te pushteti, për çka disa minuta rresht polemizuan tek tavolina e kryekuvendarit, diskutim në të cilin u përfshi edhe ministrja e Drejtësisë.
Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, me përkrahjen e pjesës tjetër të opozitës, kërkonte që në rend dite të futej si pikë e parë formimi i komisionit hetimor parlamentar për çështjen e menaxhimit të krizës energjetike.
Një gjë e tillë ishte e papranueshme për deputetët e pushtetit.
“Në rrethanat aktuale pamundësohe funksionalizimi përderisa të gjitha partitë opozitare janë iniciuese, ndërsa me ligj asnjë nga deputetët e pozitës nuk mund të jetë kryesues i këtij komisioni. Bazuar në praktikën e mëhershme më 2018 kur të njëjtë nënshkrues ishin LDK e LVV, kryeparlamentari asokohe tha që për arsye se deputetët e dy partive janë iniciuese të komisionit hetimor nuk mund të themelohet komisioni, sepse nuk mund të udhëhiqet nga deputet të njërit grup parlamentar që është iniciues i komisionit hetimor”, ka thënë Mimoza Kusari-Lila, shefe e deputetëve të VV-së.
Për këtë reaguan grupet parlamentare opozitare duke e quajtur shkelje të Kushtetutës, si dhe paralajmëruan bojkotim të punës së Kuvendit.
“Ajo që është më e rëndësishme po e shohim qartë që LVV dhe Kusari janë në mbrojtje të të gjitha atyre keqpërdorimeve e krimeve që ne po pretendojmë se kanë ndodhur”, ka thënë Abelard Tahiri, shef i GP-së së PDK-së.
“Nëse ju sot e rrëzoni këtë shtyllë të demokracisë, unë deklaroj se ne si GP i LDK-së më asnjëherë nuk do të votojmë në këtë Kuvend”, ka thënë shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.
“Po ua them troç, nuk do të kalojë dhe nuk do të heshtim dhe nuk do ta pranojmë mosthemelimin. Nëse mendoni që është antikushtetues adresojeni në Kushtetuese. Çka po dëshironi të fshihni?”, ka shtuar shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri.
Kusari tha se opozita e kishte bllokuar veten, meqë ata është dashur të mos kërkonin ndihmë nga Grupi i Listës Serbe për t’i mbledhur nënshkrimet pasi tani kanë mbetur pa kryesues të Komisionit.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tentoi t’i jepte një zgjedhje situatës.
“Dua t’i jap të drejtë opozitës, sepse atëherë kam qenë kryetar i grupit parlamentar kur na është mohuar kjo çështje dhe kam dalë e kam thënë ajo është gabim”, ka thënë Konjufca.
Mocioni u hodh në votim, por mori vetëm 33 vota, duke dështuar formimi i këtij komisioni.
Ky rezultat i votimit kjo i revoltoi ligjvënësit opozitarë të cilët e lëshuan sallën dhe paralajmëruan se pa u formuar komisioni nuk do të votojnë për asnjë projektligj apo marrëveshje që sillet në Kuvend.
Por pak minuta pasi PDK-ja tashmë kishte lëshuar sallën, deputetja e kësaj partie, Blerta Deliu, hyri në seancë, u nënshkrua në listën e mëditjeve dhe doli menjëherë nga salla.
Pas publikimit të kësaj videoje nga KOHA, Deliu ka deklaruar se do të distancohet nga mëditja e kësaj seance.
“Kam kërkuar nga administrata e Kuvendit që të mos paguhet mëditja, meqenëse nuk e kam ditur se Grupi parlamentar (i PDK-së) ka dalë nga seanca dhe se nuk do të kthehet më. Dhe kam marrë konfirmimin se nuk do të më bëhet pagesa për këtë seancë”, ka thënë ajo.
Si rezultat i lëshimit të sallës nga opozita, të martën dështuan pa u miratuar 4 marrëveshje ndërkombëtare në vlerë afro 100 milionë euro.