LAJMET E MBRËMJES

Opozita del me propozime që lidhen me Policinë e Kosovës

Partitë opozitare kanë dalë me disa propozime në funksion të përmirësimit të kushteve për Policinë e Kosovës, të cilat do të tentojnë t’i shtyjnë përpara përmes Kuvendit. Në mbledhjen e Kryesisë të hënën, PDK-ja ka kërkuar që të bëhen pagesat për shtesat e policisë; të buxhetohen mjete për sigurimet shëndetësore për policët, si dhe të shtyhet përpara Projektligji për pensionim të parakohshëm të pjesëtarëve të Policisë. E AAK-ja ka kërkuar ndryshim të koeficientit të pagës, nga i cili do të përfitonin policët

Tema të ndryshme kanë paralajmëruar t’i shtyjnë përpara partia në pushtet dhe opozita, në mbledhjen e Kryesisë të hënën.

Aty u vendos që këtë javë të mbahen tri seanca plenare me një agjendë të ngjeshur, ku parashihet edhe votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.

Përfaqësuesi i Vetëvendosjes, Armend Muja, e ka cilësuar me rëndësi kalimin e këtyre ligjeve, teksa ka kritikuar opozitën për bojkotim të votimit pa arsye.

“Shpresoj ta keni kuorumin e mjaftueshëm edhe me opozitën prezente për t’i votuar projektligjet e rëndësishme që na presin. Kemi tri marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare. Por mjerisht pas një tradite të votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare nga ana e opozitës prej marsit të këtij viti ka një tendencë për të mos i votuar marrëveshjet ndërkombëtare, pa e dhënë një qëndrim të qartë se pse po veprojnë kështu. S’kemi asgjë politike prandaj nuk duhet të kemi mospajtim sa i përket votimit të këtyre ligjeve të rëndësishme, ka thënë Muja.

E në Partinë Demokratike kanë thënë se vazhdon të vlejë qëndrimi i shprehur më herët për të mos e votuar asnjë ligj të pushtetit. Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka paraqitur tri propozime që do të ngrihen në seancën e radhës.

“Nuk ka kurrfarë kuptimi qe të votohen kur një numër i tyre i madh janë nën sanksione. Nuk ka mundësi të realizohen. Vendit i duhet një qeveri e re, por sot nuk do të flasim për këtë çështje. Normalisht se nuk do ti votojmë ato marrëveshje. Do ta prezantojmë draft rezolutën që e obligon qeverinë ti përfundojë pagesat për shtesat e policisë së Kosovës. Pika 2 kërkon që nga janari i vitit të ardhshëm qeveria t’i buxhetojë mjetet për sigurimet shëndetësore për policët. Pika 3 ligji për pensionim të parakohshëm të pjesëtarëve të Policisë se Kosovës. Me këtë tregojmë seriozitet ndaj policisë e cila po ballafaqohet me situata të ndjeshme”, ka theksuar Tahiri.

Propozime që lidhen me situatën e fundit pas sulmit të grupit terrorist serb në Banjskë të Zveçanit pati edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

“Siguria në vend pas ngjarjes të së dielës kërkon një reflektim më serioz. Nesër do ta kemi një tryezë me ata që kanë qenë të angazhuar rreth sigurisë në vend. E dyta, AAK ka mbledh 40 nënshkrime ku do të kërkojmë rritjen e koeficientit të pagës nga 105 në 120. Duhet kaluar në vepra konkrete sepse zyrtarë publikë janë edhe policët e Kosovës”, ka deklaruar Besnik Tahiri, shef i Grupi parlamentar të AAK-së.

Në seancën e së mërkurës, deputetët do t’i shqyrtojnë pikat e mbetura nga seancat e kaluara, kurse të enjten do të mbahet seancë e re plenare. Për të premten është planifikuar të mbahet seancë e veçantë me deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare.