Deputetët e Kuvendit do t’i kthehen punës të hënën, për ta nisur sesionin pranveror. Në opozitë paralajmëruan se sesioni i ri do të jetë sfidues për Qeverinë. E monitoruesit e punës së Kuvendit bënë thirrje që të shmanget bojkoti pushtet-opozitë dhe që në seanca të zhvillohen debate më përmbajtjesore
Dallimet e mëdha politike, që çuan deri në bojkot përbrenda Kuvendit, pritet të jenë të pashmangshme edhe gjatë sesionit pranveror, që do të nisë të hënën e 15 janarit.
Zyrtarë të partive parlamentare opozitare paralajmëruan të shtunën për një sesion të ri sfidues për Qeverinë.
Besnik Tahiri, shef i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka thënë se do të vazhdojë qëndrimi politik për t’iu kundërpërgjigjur mënyrës së menaxhimit të brendshëm nga ana e Qeverisë.
“Për marrëveshjet ndërkombëtare rrimë në temë. Të gjitha ligjet e sigurisë i votojmë. Asnjë ligj tjetër që nuk diskutohet paraprakisht, nuk e votojmë. Ajo që unë pres këtë vit është që ne si opozitë të mobilizohemi dhe të koordinohemi më mirë për tema të brendshme për shkak se është vit zgjedhor”, ka thënë ai.
Tahiri ka theksuar se pagat në sektorin publik, paga minimale, reforma sociale, çmimi i energjisë dhe arsimi do të jenë çështjet për të cilat do të thirren debate të jashtëzakonshme që në javët e para të sesionit të ri. Sipas tij, AAK-ja po përgatitet për hartimin e një Ligji të ri të Pagave.
“Kauza e parë do të lidhet me pagat në sektorin publik. Ne do të kërkojmë një seancë të jashtëzakonshme për pagat menjëherë në fillim të këtij sesioni. Nëse nuk do të ketë një reagim në raport me kërkesën tonë për rritjen e koeficientit, atëherë ne do të fillojmë hartimin e ligjit të pagave si grup parlamentar, me iniciativën tonë”, ka thënë Tahiri.
Njësoj për angazhim më të madh të thirrjes së pushtetit në përgjegjësi, është deklaruar edhe deputetja e Lidhjes Demokratike (LDK), Valentina Bunjaku.
“LDK-ja do të shtojë angazhimet për të kritikuar qeverisjen e Kurtit dhe Kuvendi ta kthejë në përgjegjësi sa më të madhe Kryeministrin e vendit. LDK-ja do të mbështesë ato nisma që janë në interesin publik siç ka vepruar edhe më parë, e do të kundërshtojë çdo veprim qeveritar e të mazhorancës që bie ndesh me interesin publik”, ka thënë Bunjaku.
Ajo ka theksuar se pushteti do të vazhdojë të sfidohet në Gjykatën Kushtetuese për ligjet të cilat LDK-ja konsideron se nuk janë në interes të qytetarëve.
“LDK-ja do të ketë nisma ligjore në fusha të ndryshme që mbrojnë Kushtetutën e vendit, demokracinë e tregun e lirë. Do të çojmë ligjet në Gjykatë Kushtetuese, siç kemi pasur shumë suksese edhe me pjesën tjetër të opozitës”, është shprehur ajo.
Për këtë sesion Kuvendit i kanë mbetur në procedurë 45 ligje nga vitet e kaluara, e në mesin e tyre edhe marrëveshje ndërkombëtare, për disa prej të cilave nuk ka mbështetje nga një pjesë e opozitës. Si kundërpërgjigje ndaj kësaj, për një kohë Qeveria nuk u është përgjigjur deputetëve mosvotues sa herë kanë shtruar pyetje parlamentare.
KOHA e ka pyetur edhe Qeverinë nëse në sesionin e ri do të heqë dorë nga ky bojkot në Legjislativ por nuk ka marrë përgjigje konkrete. Në qeveri kanë dhënë vetëm udhëzime për opozitën.
“Opozita e sotme, nga 10 marrëveshje, nuk i votoi asnjërën për muaj me radhë duke bllokuar 380 milionë euro financime, e akoma tash, nuk i ka votuar ende disa prej atyre. Shteti vjen para së gjithash dhe opozita duhet të bashkëpunojë kur vjen puna tek interesi i qytetarëve, e jo të vazhdojë të tentojë të bëhet faktor bllokues i progresit të vendit. Ne shpresojmë që edhe partitë opozitare do t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare, sepse ato janë të mira për Kosovën”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.
E, monitorues të punës së Kuvendit kanë kërkuar që në sesionin e ri palët në Kuvend të ndërrojnë qasje.
Arbër Thaçi, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës, ka thënë se dy taborët duhet të heqin dorë nga forma e bojkotit që e kanë demonstruar. Ai ka thënë se bojkoti i opozitës ka lënë peng projekte milionëshe e në anën tjetër vlerëson se edhe bojkoti i Qeverisë është i paligjshëm.
“Kjo qasje mosbashkëpunuese ose fryme bojkotuese në Kuvend nuk duhet të vazhdojë, meqenëse përgjatë vitit të kaluar edhe trajtimi i marrëveshjeve ndërkombëtare por edhe agjenda legjislative është ndikuar nga kjo. Nëse kjo klimë jo bashkëpunuese vazhdon atëherë do të kemi edhe më tepër probleme”, ka thënë Thaçi.
E Naim Jakaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, ka bërë thirrje që deputetët të nisin debate përmbajtjesore, pasi ka konsideruar se ato kanë munguar gjatë vitit të kaluar.
“Presim që problemet që e kanë karakterizuar Kuvendin vitin e kaluar të mos e karakterizojnë tani. Siç ka qenë, mungesa e kuorumit, problemet me gjuhën parlamentare të deputetëve të Kuvendit, problemet e tjera në efikasitet të ligjeve dhe pjesa tjetër që është përmendur edhe në raport të progresit, shmangia e procedurave të rregullta për miratimin e ligjeve që në vitin e kaluar në raport me vitin 2022, ka qenë pesëfish më e madhe”, ka deklaruar ai.
Monitoruesit e punës së Kuvendit kanë bërë thirrje që në pjesën e parë të vitit të bëhen përpjekje që deputetët ta trajtojnë dhe miratojnë projektkodin civil dhe projektligjet që përfshihen në pakon e reformës në drejtësi.