Zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim, Radoica Radomiroviq, i emëruar në fund të majit, ka marrë vëmendje ditëve të fundit. Ai po akuzohet nga opozita se ishte pjesë e forcave serbe gjatë luftës në Kosovë dhe se ka marrë pjesë në masakrën e Prekazit. Ministri Nenad Rashiq i ka quajtur shpifje akuzat për zëvendësin e tij
Kryeministri Albin Kurti po vazhdon të bashkëpunojë me nënkryetarin e Listës Serbe, i kërkuar nga drejtësia në Kosovë, Milan Radoiçiq, kanë akuzuar të mërkurën nga Partia Demokratike.
Në një konferencë shtypi, ku në prapavijë u shfaq edhe një baner me fotot e Oliver Ivanoviqit, Milan Radoiçiqit dhe zëvendësministrit për Komunitete dhe Kthim, Radoica Radomiroviq, deputetja Blerta Deliu akuzoi Kurtin se po i rehabiliton interesat kombëtare të Serbisë.
E Radomiroviq ishte edhe arsyeja e thirrjes së kësaj konference pasi, sipas PDK-së, ky zyrtar i Qeverisë gjatë kohës së luftës ishte pjesëtar i forcave serbe.
“Ne kemi informata që ai ka qenë i përfshirë në luftën e fundit në Kosovë, besoj që këto janë informata mjaftueshëm të qarta që një person i tillë, i përfshirë në luftën e fundit në Kosovë assesi nuk guxon të bëhet pjesë e një qeverie të Republikës së Kosovës, unë jam e bindur që qytetarët e Kosovës nuk e kanë votuar një qeveri në të cilën duhet t’i përfaqësoj si zëvendësministër një person që ka marrë pjesë në luftën e fundit në Kosovë”, tha Deliu-Kodra.
E deputeti nga partia tjetër opozitare, LDK-së, Arben Gashi, tha se nga informatat që ka zëvendësministri Radomiroviq ka marrë pjesë në masakrën e Prekazit.
“Me aq sa kam lexuar në media, zëvendësministri ka qenë pjesë e një garnizoni ushtarak që ka marrë pjesë në masakrën e Prekazit, mendoj që është e tmerrshme, e papranueshme, e pa tolerueshme, e pa nevojshme dhe shumë e gabuar si sjellje politike e kryeministrit dhe ai mbanë përgjegjësi personale për emërimin e këtij zëvendësministri”, theksoi Gashi.
Edhe
Vukmiroviq zëvendëson Rashiqin si ministër për Komunitete dhe Kthim
Të gjithë këto ministri Nenad Rashiq i cilësoi shpifje. Ai pati fjalë të mira për zëvendësin e tij, ndërkohë akuzat tha se nuk i shërbejnë integrimit të serbëve në institucione.
“E di që është një njeri shumë i pastër sa i përket këtij aspekti që po spekulohet ose po shpifet dhe duke pasur në mend sa i përket emërimit të tij unë së pari kam biseduar edhe me kryeministrin edhe ka kaluar të gjitha ato vërtetime dhe kontrolle të sigurisë nga organet kompetente”, theksoi Rashiq.
Ministri Rashiq i ka bërë thirrje deputetit Arben Gashi që të kërkojë falje për akuzën ose të tregojë saktë burimin e informacionit në mënyrë që, sipas tij, të paditet për shpifje.
Radoica Radomiroviq u emërua zëvendësministër nga kryeministri Kurti më 25 maj të këtij viti.
-
Kurti akuzon Serbinë se ndikoi në zgjedhje: U përfshinë edhe Vuçiqi e Radoiçiqi
-
Lista Serbe: Rashiqi - shërbëtor i Kurtit që uzurpoi mandatin me votat e shqiptarëve
-
Kurti për ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhje: Rashiq u kërcënua vazhdimisht nga Radoiçiqi me mesazhe
-
Vukmiroviq emërohet zëvendësministër për Komunitete dhe Kthim