LAJMET E MBRËMJES

Një kirurg dhe një anesteziolog arrestohen në Spitalin e Gjilanit

Nën dyshimin për veprën penale “marrje ryshfeti”, Policia e Kosovës, të shtunën, ka arrestuar dy doktorë në Spitalin Rajonal në Gjilan dhe i ka dërguar në mbajtje për 48 orë. Drejtori i Spitalit të Gjilanit ka paralajmëruar suspendimin e tyre.

Mbi 500 euro i kishte kërkuar ryshfet kirurgu L.M. me rastin e operimit të një pacienteje në Spitalin Rajonal të Gjilanit.

Ndërsa kolegu i tij, anesteziologu H.B. kishte kërkuar ryshfet 100 euro për shërbimin e tij.

Policia e Kosovës ka njoftuar se pas hetimeve të kryera ka arrestuar dy të dyshuarit në flagrancë.

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në kuadër të Policisë së Kosovës, të shtunën, rreth orës 20:00, ka arrestuar dy doktorë të Spitalit Rajonal të Gjilanit. Ata dyshohen për veprën penale marrje ryshfeti.

E Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar që të arrestuarit të mbahen në paraburgim derisa të kryhen hetimet.

“Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se më 29 prill 2023, rreth orës 19:45 minuta, në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, të pandehurit H.B. dhe L.M., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, si persona zyrtarë, kanë përfituar për vete, në atë mënyrë që i pandehuri H.B. – anesteziolog, me rastin e operimit të pacientes, M.S., në Repartin e Kirurgjisë, ka kërkuar dhe ka marrë para nga familjarët e saj”, thuhet në kërkesës së Prokurorisë.

Drejtori i Spitalit të Gjilanit, Arsim Emini, ka thënë që ata do të ndjekin procedurat e parapara me ligj.

“Më herët si kemi vepruar - na vjen konfirmimi prej gjyqtarit të procedurës paraprake se çfarë vendosin. Nëse ata vendosin ta vazhdojnë paraburgimin, ne i marrim masat. Në bazë të ligjit, më herët kemi pasur suspendim, nëse nuk gaboj suspendim me gjysmë page”, ka thënë Emini.

Të pandehurit janë arrestuar nga zyrtarët policorë pas kryerjes së masës së simulimit dhe ata me urdhër të prokurorit gjenden nën masën e ndalimit prej 48-orësh.