LAJMET E MBRËMJES

Nisin hetimet për vdekjen e 63-vjeçarit pas operimit dhjetorësh në QKUK

Për një sërë dyshimesh të ngritura në publik dhe deklaratave akuzuese në mes të mjekut që operoi 63-vjeçarin që më pas vdiq dhe drejtorit të Klinikës së Kardiokirurgjisë, janë vënë në lëvizje institucionet. Prokuroria ka nisur hetimet parapenale, ndërsa rasti është duke u trajtuar edhe nga Inspektorati i Shëndetësisë dhe Prokurori i Odës së Mjekëve

Prokuroria Themelore ka nisur hetim parapenal pas dyshimeve të ngritura për pacientin 63-vjeçar, i cili vdiq tri orë pasi iu nënshtrua një operacioni dhjetorësh në Kardiokirurgji, që nuk ishte kryer asnjëherë më parë në këtë klinikë të QKUK-së.

Pacienti është varrosur në mesditën e së enjtes, e Prokuroria nuk ka konfirmuar nëse ka kërkuar apo do të kërkojë autopsi.

“Rastit të cilit i referoheni mund t’iu njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka autorizuar policinë t'i ndërmarrin veprimet e nevojshme, me qëllim të sqarimit të kësaj çështjeje dhe eventualisht në rast të paraqitjes së elementeve të ndonjë vepre penale do të veprohet tutje konform dispozitave ligjore të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës. Në këtë fazë nuk mund të japim informata të tjera”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Edhe Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se ka aktivizuar mekanizmat e saj, me qëllim të zbardhjes së rastit. Sipas Ministrisë, Inspektorati Shëndetësor, në bazë të kompetencave ligjore është në fazën e mbledhjes së të dhënave lidhur me rastin.

“Vlerësimi i përgjegjësive u takon organeve kompetente, andaj jemi në pritje të raporteve zyrtare të këtyre organeve. Për çdo gjetje nga institucionet në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë do të merren masat sipas ligjeve në fuqi”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Është konfirmuar se edhe prokurori i Odës së Mjekëve ka filluar procedurat e hetimit të këtij rasti.

KOHA është informuar se gjatë ditës së premte mjeku operator, Kushtrim Shala, dhe drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë, Rifat Brahimaj, janë ftuar në takim nga kryesuesja e Bordit të SHSKUK-së, Aida Rexhepi, dhe drejtori i Klinikës Torakale, Nazmi Kolgeci, që ka zëvendësuar në takim ushtruesen e detyrës së drejtorit të përgjithshëm, Pranvera Zejnullahu-Raçi. Sipas burimeve, pas takimit është vendosur që rasti të lihet në dorë të hetuesisë.

E hetim të mirëfilltë ka kërkuar edhe kryetari i Shoqatës së Pacientëve, Besim Kodra.

“Ne si publik nuk e dimë se çfarë saktësisht ka ndodhur aty meqë ka një kontestim të eksperiencës nga vetë drejtori i Klinikës dhe duhet të hetohen edhe rasti, edhe deklaratat e drejtorit që u bënë në atë formë publike që nuk kanë shkuar procedurat nëpër bord të etikës në Odë të Mjekëve. Konsiderojmë që e dëmton edhe imazhin e institucionit, sigurinë e pacientëve dhe të gjitha”, ka thënë Kodra.

Pas vdekjes së pacientit, drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë, Rifat Brahimaj, i ka quajtur jokompetentë e të papërvojë mjekët që kryen intervenimin në zemër.

E disa orë pas akuzave të drejtorit mjeku operator, Kushtrim Shala, në reagimin e tij ka thënë se ndaj tij është bërë tentim për eliminim profesional nga Brahimaj, të cilin e ka akuzuar vetë për mungesë përvoje.

Shala ka thënë se diseksioni akut aortik paraqet emergjencë kardiokirurgjike dhe është jashtëzakonisht vdekjeprurës nëse nuk trajtohet me kohë.

“Vdekshmëria për diseksion akut të aortës së patrajtuar arrin 50 për qind në 24 orët e para. Nëse diseksioni shoqërohet me rupturë të aortës (siç ka qenë rasti me pacientin në fjalë) vdekshmëria shkon deri në 90 për qind në orët e para”, ka thënë Shala, që ka shtuar se pacienti në fjalë “ishte në margjinat e jetës”.

Ai ka shtuar se familjarëve u janë sqaruar të gjitha detajet dhe kanë pranuar kryerjen e intervenimit. Ka vlerësuar se intervenimi është kryer me sukses. Ndër tjerash ka kërkuar autopsi të pacientit e hetim në Klinikën e Kardiokirurgjisë.

Për përplasjen publike mes mjekëve të Kardiokirurgjisë ka reaguar edhe kryetari i Këshillit Etik të Odës së Mjekëve, Fejsal Mehmeti. Ai ka kërkuar nga mjekët që t’u përmbahen parimeve etiko-profesionale.

KOHA ka pyetur edhe Policinë rreth rastit, por nuk ka marrë përgjigje.