LAJMET E MBRËMJES

Nga sot, eksportet e Kosovës drejt SHBA-së tarifohen me 10 për qind

Mallrat kosovare do të tarifohen me 10 për qind të vlerës së tyre, në momentin që futen në tregun e SHBA-së. Kjo masë ka hyrë në fuqi të enjten, ndërkohë që ishte paralajmëruar nga administrata Trump para katër muajsh. Kosova para një jave hoqi tarifën për mallrat amerikane, por sipas njohësve, vendimi ishte i vonuar për të vepruar njësoj edhe SHBA-ja

Mallrat “Made in Kosova” që eksportohen drejt tregjeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga e enjtja do t’i nënshtrohen tarifës prej 10 për qind të vendosur nga administrata Trump, masë e prezantuar katër muaj më parë.

E Kosova, sipas kryetarit të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka ka humbur një mundësi të mirë që të mos preket fare nga tarifat e reja.

Ai tha se Qeveria u vonua me vendimin për largim të tarifës ndaj mallrave amerikane.

“Pak orë pasi presidenti Trump kishte paralajmëruar vendosjen e tarifave doganore ndaj shteteve që nga ana tjetër i vendosnin tarifa të reja shteteve në mëngjesin e 3 prillit, Oda Ekonomike Amerikane pati bërë thirrje për shfuqizimin e normës doganore për produktet amerikane, një thirrje kjo që u mbështet edhe nga ana e asociacioneve të biznesit, por edhe nga ana e presidentes Vjosa Osmani. Pati një polemizim i cili ishte gabim siç ndodh rëndomë me politikën tonë, çështja është e politizuar dhe tashmë vendosja e një tarife prej 0 për qind për mallra amerikane është lajm i mirë që e kemi pritur, por definitivisht lajm i vonë”, ka thënë Zeka.

Kosova është në mesin e mbi 90 shteteve që përballen me tarifa.

Mes produkteve kryesore që do të preken nga taksa janë fustanet, të cilat kapin vlerën më të lartë të eksporteve kosovare në tregun amerikan, rreth 11.4 milionë euro. Vjet Kosova eksportoi rreth 39 milionë euro mallra drejt SHBA-së.

Nga viti 2021, mallrat kosovare nuk kanë qenë plotësisht të liruara nga detyrimet doganore në SHBA.

“Ato u janë nënshtruar detyrimeve doganore prej skadimit të asaj që njihet si Sistemi i Përgjithësuar i preferencave, një masë e njëanshme preferenciale e vendosur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e vendosur për Kosovën dhe shtetet e tjera në zhvillim, përfshirë këtu edhe fqinjët e Ballkanit Perëndimor. Përveç që normat kanë qenë të përshkallëzuar, tani kemi një normë të rrafshët prej 10 për qind. Mund të ketë ndikim varësisht se sa doganë ka paguar cili mall dhe cili prodhues deri më tani, por sërish dua të kthehem tek një aspekt pak më pozitiv”, ka thënë Zeka. 

Kosova hoqi tarifën për mallrat amerikane më 1 gusht. 

SHBA-ja e ka mirëpritur vendimin, por nuk ka dhënë sinjale se do të veprojë njëjtë. 

KOHA ka adresuar pyetje edhe te Zyra e Përfaqësuesit të Tregtisë së SHBA-së lidhur me këtë çështje, por nuk ka marrë përgjigje tash e sa ditë.

Nëse ka sinjale për largim të tarifës nga SHBA-ja, nuk janë përgjigjur as nga Qeveria.
Kosova vjet importoi nga SHBA-ja mallra në vlerë 106 milionë euro. 

E sipas Agjencisë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve, investimet amerikane gjatë vitit 2024 kapin vlerën e 87 milionë eurove.