Në shënimin e Ditës së të pagjeturve, këtë të martë, kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, ka bërë të ditur se janë në proces të fillimit të gërmimit në një lokacion të ri në Serbi.
Por ai nuk ka dhënë ndonjë datë konkrete se kur do të fillojnë.
“Ju njoftoj gjithashtu që këto ditë në Serbi do të fillojmë gërmimet edhe në një lokacion të radhës, por që natyrisht ne kemi pritur e vazhdojmë me urgjencë t’i kërkojmë imazhet satelitore. Pse? Sepse ne kemi pasur dezinformata për lokacione të ndryshme atje, por jo të mjaftueshme. Bazuar në praktikat e mëhershme, bazuar në Rudnicë dhe në Kizhevak, në të dyja lokacionet gërmimi ka zgjatur 10 vjet. Pra 10 vjet hulumtim nga ekipet tona. Nuk duhet të ndodhë sërish e njëjta gjë”, ka deklaruar kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur.
Për lokacionin ka thënë do të flasin më vonë, por shpreson që informacionet t’i kenë të sakta.
E Bajram Çerkini, drejtor i Qendrës Burimore të Personave të Zhdukur, njëkohësisht edhe familjar i të pagjeturve, ka shprehur pakënaqësitë e tij që çështja e të pagjeturve nuk po diskutohet më seriozisht në Bruksel.
Edhe
Për pak ditë në Serbi nisin gërmimet në një lokacion të ri për varreza
“Është mirë ta themi të vërtetën. Në Bruksel e kanë vendosur një pikë. Kanë thënë se pika e parë e rendit të ditës janë të pagjeturit. Dhe aty kanë mbetur. Por asnjë hap nuk është bërë. Nuk është bërë asgjë prej asaj dite që kanë thënë që duhet të flitet për persona të pagjetur”, ka deklaruar Çerkini.
Ai gjithashtu ka parashtruar tri kërkesa për kryesuesin e Komisionit. Ndër të tjera është kërkuar që të bëhet presion mbi Bashkësinë Ndërkombëtare që të ndihmojë në sigurimin e imazheve satelitore.
“I kemi bërë presion Bashkësisë Ndërkombëtare. E Bashkësia Ndërkombëtare duhet t’i bëjë Beogradit zyrtar presion dhe kushtëzim sepse vetëm presionin e kemi provuar që 20 vjet e më shumë dhe nuk ka mjaftuar. Si rrjedhojë ne ende i kemi edhe 1617 persona të zhdukur, duke përfshirë edhe babin tim edhe djalin e bacës Bajram”, ka thënë Hoti.
Në fund Bajram Çerkini, i cili nuk di gjë për fatin e të birit për më shumë se 20 vjet, pati edhe një lutje.
Edhe
Hoti pret që gërmime për varreza masive me shqiptarë të nisin në disa lokacione në Serbi
“Është mirë që sot në këtë ditë përkujtimore për personat e pagjetur t’i fikni dritat. Sot e kemi një porosi për të gjithë banorët e Kosovës, kur të uleni për të ngrënë bukë, le të mendojnë një sekondë për personat e pagjetur”, u shpreh ai
Në Kosovë ende mungojnë mbi 1.600 persona, fati i të cilëve nuk dihet nga përfundimi i luftës. Gjatë vitit 2021 institucionet kosovare në bashkëpunim me ato serbe dhe misionin EULEX kryen gërmime në 9 lokacione të ndryshme në Kosovë dhe Serbi, të cilat rezultuan me gjetjen e eshtrave të 24 personave që më pas iu dorëzuan familjarëve të tyre.