Përfaqësuesit e misioneve të huaja në Kosovë kanë reaguar gjatë së shtunës për plagosjen e dy të rinjve serb të Shtërpcës. Krahas kësaj, kanë lavdëruar Policinë e Kosovës, e cila pak orë pas rastit ka prangosur të dyshuarin.
Përfaqësues të Shteteve të Bashkuara e të Bashkimit Evropian kanë reaguar të shtunën, duke e dënuar sulmin me armë ndaj dy të rinjve serbë në Shtërpcë.
Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier me të dalë prej një meshe të Krishtlindjes në Graçanicë tha se e dënon sulmin, dhe e vlerësoi punën e policisë që mbërriti ta kapte të dyshuarin.
“Dua ta shfrytëzoj këtë mundësi që të flas shumë shkurtimisht për atë që ka ndodhur dje në Shtërpcë dhe që po ashtu të ritheksoj edhe në emër të Shteteve të Bashkuara se jemi të shqetësuar me situatën ku dy djem të rinj qëllohen. E dënojmë këtë veprim sigurisht dhe jemi falënderues që autoritetet vepruan kaq shpejt dhe e arrestuan një të dyshuar”, ka thënë Hovenier.
Në të njëjtën frymë ka reaguar edhe BE-ja.
“BE-ja e dënon fuqishëm plagosjen me armë të fëmijës dhe djalit të ri gjatë ditës së djeshme. Është me rëndësi që autoritetet ta bëjnë një hetim të plotë për këtë krim të shëmtuar dhe që të vihet në vend drejtësia. U urojmë viktimave shërim të shpejtë”, është shprehur Peter Stano, zëdhënës i BE-së.
Dy të rinj serbë, një 11-vjeçar dhe një 21-vjeçar, u plagosën pasditen e së premtes në Komunën e Shtërpcës nga një veturë në lëvizje. Disa orë pas rastit, i dyshuari është kapur nga policia.