LAJMET E MBRËMJES

Myftiu Tërnava bën thirrje për solidaritet

Me perëndimin e diellit, myslimanët kanë përmbyllur të martën muajin e agjërimit. Ata u përgëzuan nga myftiu Naim Tërnava, i cili i uroi edhe për festën e Fitër Bajramit që shënohet të mërkurën

Në ditën e fundit të Ramazanit, të martën, myftiu Naim Tërnava ua ka uruar besimtarëve myslimanë përmbylljen e muajit të agjërimit dhe festën e Fitër Bajramit që e pason këtë muaj.

Në emër të Bashkësisë Islame, myftiu i Kosovës shprehu lutjet për shëndet e mirëqenie e edhe për më shumë angazhim për shtetin.

“Është nder i madh prej Zotit që ua mundësoi të gjithë atyre që agjëruan Ramazanin, adhuruan Zotin xh.sh., u solidarizuan me të varfrit, ndihmuan njerëzit nevojtarë, krijuan harmoni familjare brenda familjes, ruajtën krenarinë për fenë dhe atdheun, kaluan çdo sfidë vetëm për ta kënaqur Krijuesin”, ka thënë Tërnava.

Myftiu Tërnava është shprehur se myslimanët do të festojnë të mërkurën dhe se këtë ditë tek ta do të dominojë ndjenja e bashkimit dhe e respektit ndaj njëri-tjetrit. 

“Në këtë ditë i lëmë mënjanë shqetësimet, ngrihen mbi horizontin e parashikuar nga domethënia e kësaj feste, harrojnë fatkeqësitë dhe hallet, ngase fryma vëllazërore e Bajramit sikur i fshin gjurmët e urrejtjes e të dëshpërimit, sepse kjo festë është një vijë ndarëse e rikuperimit të shpresës për jetë më të mirë”, ka thënë ai.

Për një muaj myslimanët kanë agjëruar duke hequr dorë nga ushqimi prej agut deri në perëndim të diellit. Ata e kurorëzojnë Ramazanin me festën e Fitër Bajramit.