Asnjë shtetas i Kosovës nuk e ka humbur jetën apo nuk është lënduar nga sulmet që janë duke vazhduar në Izrael, kanë njoftuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Sipas të dhënave nga kjo ministri, tetë shtetas janë larguar nga Izraeli derisa në pritje të një zgjidhjeje janë edhe shtatë të tjerë. Për gjendjen në Izrael, në KTV ka rrëfyer shqiptarja Felicita Jakoel.
Shtatë shtetas të Kosovës janë në pritje të gjetjes së një zgjidhjeje për t`u larguar nga Izraeli, pas luftimeve që janë duke u zhvilluar atje.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kanë bërë të ditur se ata janë të sigurt dhe në gjendje të mirë shëndetësore.
Sipas kësaj ministrie, që nga e shtuna nga Izraeli janë larguar tetë shtetas të Kosovës.
“Të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës që kërkuan ndihmë tashmë janë larguar nga territori i shtetit të Izraelit. Ndërkohë në Ambasadën e Republikës së Kosovës janë lajmëruar edhe shtatë shtetas të tjerë me të cilët Ambasada është në komunikim të vazhdueshëm për t’u ofruar zgjidhje. Të lajmëruarit janë të sigurt dhe në gjendje të mirë shëndetësore”, thuhet në përgjigjen e tyre.
MPJD-ja ka bërë të ditur se deri më tani nuk ka ndonjë shtetas të Kosovës që ka humbur jetën apo është lënduar.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës po mban kontakte të vazhdueshme edhe me shtetasit e Republikës së Kosovës që ndodhen me punë në shtetin e Izraelit si pjesë e stafit ndërkombëtar të organizatave të huaja apo agjencive të Organizatës së Kombeve të Bashkuara – OKB. Nga informacionet e pranuara deri më tash nuk raportohet për ndonjë shtetas të Republikës së Kosovës që ka humbur jetën apo është apo është lënduar”, thuhet në përgjigje.
Të dielën mbrëma nga Izraeli në Shqipëri kanë arritur 40 shqiptarë, në mesin e tyre edhe shtetas nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Sipas kryetares së Shoqatës së Miqësisë Izrael-Shqipëri, Felicita Jakoel, në zonën ku është bërë sulmi nuk ka ndonjë banor shqiptar. Në emisionin “60 Minuta” të KTV-së ajo ka treguar për situatën në Izraeli.
“Edhe sot para dy- tri orësh detyruam një sirenë shumë të fortë dhe u detyruam që të futemi në dhomën e sigurisë sepse pati goditje me MSR nga Gaza... pak a shumë ne të gjithë ndihemi të mbrojtur por gjendja vazhdon të jetë shumë e nderë, shumë e dhimbshme”, ka theksuar Jakoel.
Të shtunën militantë të Hamasit u futën brenda territorit të Izraelit duke vrarë qindra e duke kidnapuar dhjetëra persona. Izraeli është kundërpërgjigjur me sulme ajrore në Rripin e Gazës.
Mbi 700 persona janë vrarë në Izrael, përfshirë 260 në një festival muzikor, ndërsa në Gazë kanë humbur jetën mbi 500 persona.