Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

MPJD: Qytetarët e Kosovës në Lindjen e Mesme janë mirë, po shqyrtohen opsionet për evakuim

MPJ

Foto: Driton Paçarada

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka bërë të ditur se përmes misioneve diplomatike është në komunikim të vazhdueshëm me qytetarët e Republikës së Kosovës që ndodhen në Lindjen e Mesme, me qëllim të përcjelljes së gjendjes së tyre dhe ofrimit të mbështetjes së nevojshme.

Sipas të dhënave më të fundit të paraqitura nga Minsitria, në Izrael ndodhen 21 qytetarë të Kosovës, në Arabinë Saudite 331 qytetarë, në Emiratet e Bashkuara Arabe rreth 400 qytetarë rezidentë dhe 70 turistë të lajmëruar deri më sot, në Katar 75 qytetarë, në Kuvajt përafërsisht 60 qytetarë, në Bahrein 4 qytetarë dhe në Oman 2 qytetarë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas informacioneve nga misionet diplomatike, të gjithë qytetarët aktualisht janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Ministria njofton se është duke punuar në mënyrë të vazhdueshme dhe të koordinuar me autoritetet e shteteve përkatëse për të identifikuar dhe siguruar opsionet më të përshtatshme për evakuimin e qytetarëve, nëse kjo paraqitet si e nevojshme.

Ministria e Punëve të Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe ka njoftuar se kufijtë tokësorë me Omanin mbeten të hapur. Aktualisht, sipas njoftimit janë të disponueshme edhe disa opsione fluturimi, nga Rijadi drejt Frankfurtit dhe nga Xheda drejt Prishtinës.

Megjithatë, siç theksohet, institucionet vendore të të gjitha shteteve të rajonit rekomandojnë që në këtë fazë të mos ndërmerren udhëtime deri në qetësimin e plotë të situatës së sigurisë.

“Autoritetet kanë bërë të ditur se çdo udhëtim i ndërmarrë në rrethana të tilla bëhet me përgjegjësi individuale, pasi shtetet nuk mund të marrin përgjegjësi për pasojat e mundshme nga zhvillimet e paparashikueshme të situatës. Qytetarëve u rekomandohet të qëndrojnë të qetë dhe të ndjekin me përpikëri udhëzimet e autoriteteve lokale, të shmangin lëvizjet e panevojshme deri në njoftim të radhës dhe të qëndrojnë në kontakt të rregullt me përfaqësitë diplomatike. Për çdo nevojë urgjente, qytetarët mund të kontaktojnë Ambasadën e Republikës së Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe në numrin +971 547092109, Ambasadën në Izrael në +972 586 340450, Ambasadën në Arabinë Saudite në +966 537508835 dhe Ambasadën në Katar në +974 5055 9453”, thuhet në njoftim.