Në seancën përgatitore të Gjykatës Speciale, që u mbajt të martën, mbrojtja e të akuzuarit Pjetër Shala u ankua në organin e akuzës. Avokati Jean-Louis Gilissen tha se, me shumë vonesë, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një numër dokumentesh te mbrojtja.
“Më duhet ta kujtoj faktin që janë 500 dokumente të cilat i janë dhënë me shumë vonesë palës mbrojtëse dhe kemi vështirësi, vështirësi shumë të mëdha me mënyrën si na janë paraqitur një numër i dokumenteve dhe të gjithë ne kemi humbur kohë shumë të gjatë dhe gjyqtari i procedurës paraprake ka humbur shumë kohë dhe tani po e kuptoj që situata po vazhdon të përsëritet”, tha avokati i Shalës, Jean-Louis Gilissen.
E, prokurori Filipe Deminiqes dha një shpjegim, pas ankesës. Tha se një numër dokumentesh mund të mos përdoren fare në procesin gjyqësor.
“Dy dokumente kanë të bëjnë me statusin e dëshmitarit në fund të korrikut. Prokuroria gjithashtu shpjegon që ndoshta nuk synon t’i përdorë këto dokumente në gjykim, megjithatë ka vendosur që t’i përfshijë këto dokumente për ta dhënë panoramën e plotë për mbrojtjen dhe për të qenë sa më përfshirës në dokumentet që i jep mbrojtjes”, tha prokurori i ZPS-së, Filipe Deminiqes.
Pjetër Shala akuzohet se prej 17 majit deri më 5 qershor 1999, si komandant i Brigadës 128, i njohur me nofkën “Ujku”, ka qenë i përfshirë në ndalim arbitrar, trajtim mizor e torturë ndaj të ndaluarve në fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë që, sipas Prokurorisë, përdorej nga UÇK-ja.