LAJMET E MBRËMJES

Leyen: Njohja de-facto e nënkupton zbatimin e marrëveshjes së Brukselit e Aneksit të Ohrit

Një ditë pas Prishtinës, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von Der Leyen, e vizitoi edhe Beogradin. Aty ajo përsëriti se njohja de facto e Kosovës nga Serbia nënkupton zbatimin e marrëveshjes për të cilën palët janë dakorduar në Bruksel dhe në Ohër. Në prani të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ajo e dënoi edhe sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, që u organizua nga grupi paraushtarak serb. E Vuçiqi ritheksoi se një prej dallimeve më të mëdha të vendit të tij me politikën e jashtme të BE-së është kërkesa për njohjen e Kosovës

Njohja de facto e Kosovës nga Serbia e nënkupton zbatimin e aneksit të dakorduar në Ohër, theksoi të martën nga Beogradi, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von Der Leyn.

Pas takimit të mbajtur me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, zyrtarja e lartë evropiane i rikujtoi obligimet që i kanë palët në zbatimin e neneve të marrëveshjes bazë, për të cilën palët ishin dakorduar më 27 shkurt të këtij viti, në Bruksel.

“Për çfarë bëhet fjalë – për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, që parasheh hapa të ndryshëm, përfshirë pranimin e dokumenteve dhe institucioneve të Kosovës nga Serbia, dhe shkon krahas themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilin duhet ta zbatojë Kosova. Përveç kësaj, Serbia duhet të fillojë zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese dhe të mos humbë kohë për këtë”, tha Von der Leyen.

Duke folur në prani të Vuçiqit, von der Leyeni e dënoi sërish sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

“Sulmet e dhunshme të 24 shtatorit në Banjskë janë krejtësisht të papranueshme. Autorët duhet të dalin para drejtësisë, duhet të mbajnë përgjegjësi, është vendimtare që të dyja palët të përfshihen dhe të ecin drejt rrugës së normalizimit”, tha Von der Leyen.

E presidenti serb, Vuçiq, e ritheksoi kundërshtimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Nuk më vjen turp ta përsërisë këtë para presidentes së Komisionit Evropian. I jam mirënjohës BE-së për atë qasje të butë për përmbushjen e detyrave të Serbisë dhe nuk ia fsheh popullit tonë. Por mendoj se e dinë edhe ata dhe të gjithë të tjerët, një fakt është mospërputhja jonë e plotë me politikën e jashtme evropiane, do të thotë, vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë, kurse një çështje tjetër është situata dhe marrëdhënia jonë me Prishtinën”, tha Vuçiq.

Një ditë më herët, Von der Leyen qëndroi në Prishtinë, ku krahas njohjes de fakto të Kosovës nga Serbia, palës kosovare ia kërkoi përmbushjen e detyrimit për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.