LAJMET E MBRËMJES

LDK-ja deponon kallëzim penal për punësimet në KEK, LVV-ja paralajmëron padi

Konkursi i hapur për 150 vende të lira të punës në Korporatën Energjetike të Kosovës ka përfunduar të mërkurën në Prokurori.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka deponuar një kallëzim penal rreth konkursit, nëpërmjet të cilit ka pretenduar se janë punësuar 128 militantë e njerëz të afërt me Vetëvendosjen.

Shkëmb Manaj, nga LDK-ja, ka akuzuar partinë në pushtet se është duke i kapur institucionet e pavarura dhe ndërmarrjet publike në vend.

“Ky kallëzim penal sot, kundër kryesuesve dhe anëtarëve të komisioneve të këtij konkursi publik, por edhe të menaxhmentit të KEK-ut, është thirrje për drejtësi, thirrje për ndalje të keqpërdorimeve dhe thirrje për ndaljen e nepotizimin dhe të emërimeve partiake të militantëve të LVV-së në ndërmarrjet publike”, tha Manaj.

Manaj ka theksuar se konkursi për këto pozita ishte hapur ndërmjet dy rundeve të zgjedhjeve lokale dhe e ka akuzuar LVV-në për shfrytëzimin e tij me qëllim të përfitimeve elektorale.

“Ju e dini që LVV-ja në rundin e parë të zgjedhjeve në nivel të komunave ka pësuar humbje të thellë dhe këtë konkurs dhe konkurset e tjera ndërmjet të dy (rundeve të) zgjedhjeve i ka bërë me qëllim që t’i favorizojë militantët e saj partiakë dhe kjo të ndikojë në procesin zgjedhor të rundit të dytë të zgjedhjeve”, tha Manaj.

Akuzat e ngritura nga LDK-ja i ka mohuar zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka. Ai i ka quajtur ato shpifje dhe ka paralajmëruar edhe padi.

“Asnjë zyrtar i LVV-së nuk e ka askënd aty dhe ato që janë publikuar janë shpifje, për të cilat janë bërë ankesat dhe do të bëhen paditë përkatëse ditëve në vijim. Përpjekja e klubit të stërvjetruar politik është që ta bëjë LVV-në sikurse ata, por kjo gjë është e pamundshme”, tha Manxhuka.

Në konkursin e hapur për punësim në KEK, kishin aplikuar më shumë se 4 mijë persona.