Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Lajçak pret zgjidhje për çështjen e dinarit

Të enjten në Bruksel pritet që të zhvillohet takimi i radhës drejt gjetjes së një zgjidhjeje për çështjen e dinarit. E derisa lehtësuesi i bisedimeve nga ky takim pret zgjidhje, në Serbi thonë se Kosova është duke u shpërblyer në vend se të sanksionohej për sabotim të procesit të normalizimit.

Bashkimi Evropian pret që të enjten të tejkalohen dallimet mes Kosovës dhe Serbisë në lidhje me dinarin.

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tek shpalosi punën e bërë gjatë javës së shkuar, paralajmëroi takimin që do të mbahet mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, e atij të Serbisë, Petar Petkoviq.

“Në përgjithësi, takimi ka qenë i dobishëm. Të dyja palët patën mundësinë t’i shpjegojnë idetë dhe qëndrimet e tyre. Në fund u konkludua se do të duhej edhe një tjetër takim. Palët do të kthehen në Bruksel këtë javë dhe shpresojmë se do të jemi në gjendje të kapërcejmë hendekun e mbetur”, tha Lajçak.

Në Bruksel javën e shkuar Bislimi e Petkoviqi prezantuan propozimet e tyre për, siç u tha, gjetjen e një zgjidhjeje për formën e dërgimit të mbështetjes financiare për komunitetin serb.

Por kritika ndaj faktorit ndërkombëtar e qeverisjes në Prishtinë, të hënën, patën zyrtarë në Serbi.

Edhe Lajçak: Do të thërras takim për dinarin nëse palët tregojnë gatishmëri për marrëveshje Arbëri Lajçak: Do të thërras takim për dinarin nëse palët tregojnë gatishmëri për marrëveshje

Ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daciq, e kryenegociatori Petar Petkoviq thanë se Kosova është duke u përkrahur nga ndërkombëtarët për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Petkoviq tha se Kosova është duke u shpërblyer, në vend se të sanksionohej për, siç tha, sabotim të procesit të normalizimit.

“Për sabotimin e procesit të normalizimit, Prishtina jo vetëm që nuk u sanksionua në mënyrë adekuate, por u shpërblye me hapjen e perspektivave për anëtarësim në disa organizata ndërkombëtare. Ne e kuptuam në mënyrë të përkryer politikën perëndimore të standardeve të dyfishta!” – tha Petkoviq.

E Daçiq tha se Serbia është në presion të madh nga vendet perëndimore, të cilat shtyjnë përpara anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Vendi ynë është në një situatë të rëndë. Shtytja politike e Kosovës në organizatat ndërkombëtare vazhdon dhe për këtë përdoren mekanizmat ndërkombëtarë”, tha Daçiq.

Edhe Lajçak optimist se mund të arrihet marrëveshja për dinarin Arbëri Lajçak optimist se mund të arrihet marrëveshja për dinarin

Të mërkurën e javës së shkuar Komisioni për Çështje Politike ka miratuar opinionin e raportueses për Kosovën, Dora Bakojanis, i cili rekomandon Këshillin e Evropës ta ftojë Kosovën për t’u bërë anëtare.

Deri në anëtarësimin e plotë në Këshillin e Evropës, Kosova duhet të kalojë me sukses edhe dy procese të tjera votimi. Njëri në Asamblenë Parlamentare që mblidhet këtë muaj, dhe tjetri në Këshillin e Ministrave që do të takohen në maj.