LAJMET E MBRËMJES

Lahbib: Marrëveshja Kosovë-Serbi, rrugë e vetme drejt integrimit në BE

“Përgjigjja që po e kërkojmë është deeskalimi dhe një përkushtim i ri për procesin e normalizimit të drejtuar nga BE-ja. Është e vetmja mënyrë që të arrihet një marrëveshje afatgjate dhe kjo është mënyra e vetme që të dyja palëve t’u jepet një e ardhme e integrimit në BE”, ka thënë ministrja belge, tek e ka kualifikuar të domosdoshëm përparimin në dialog në kohën kur tensionet mes Kosovës e Serbisë po vazhdojnë të jenë të larta“Përgjigjja që po e kërkojmë është deeskalimi dhe një përkushtim i ri për procesin e normalizimit të drejtuar nga BE-ja. Është e vetmja mënyrë që të arrihet një marrëveshje afatgjate dhe kjo është mënyra e vetme që të dyja palëve t’u jepet një e ardhme e integrimit në BE”, ka thënë ministrja belge, tek e ka kualifikuar të domosdoshëm përparimin në dialog në kohën kur tensionet mes Kosovës e Serbisë po vazhdojnë të jenë të larta

Përkushtimin e ri të Kosovës në dialogun me Serbinë e ka kërkuar të premten ministrja e Punëve të Jashtme e Belgjikës, Hadja Lahbib, e cila të premten ka qëndruar për vizitë në Prishtinë.

Në kuadër të vizitës, Lahbib është pritur në takim nga presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.

Pas takimit me Gërvallën, ministrja belge e ka kualifikuar dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian (BE) si zgjidhjen për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

“Përgjigjja që po e kërkojmë është deeskalimi dhe një përkushtim i ri për procesin e normalizimit të drejtuar nga BE-ja. Është e vetmja mënyrë që të arrihet një marrëveshje afatgjate dhe kjo është mënyra e vetme që të dyja palëve t’u jepet një e ardhme e integrimit në BE”, ka thënë ajo.

Lehbib e ka kualifikuar të domosdoshëm përparimin në dialog në kohën kur tensionet mes Kosovës e Serbisë po vazhdojnë të jenë të larta.

“E dimë nga eksperienca që vetëm me dialog jemi në gjendje që të ecim tutje në një mënyrë të pranueshme për të gjithë ne dhe për të gjithë qytetarët tanë”, ka thënë ajo, në një konferencë për media bashkë me ministren Gërvalla.

Që nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Belgjika do të jetë shteti që do ta drejtojë Presidencën e radhës të BE-së. Në këtë sfond, ministrja Gërvalla ka thënë se diplomates belge ia ka shprehur angazhimin e Kosovës drejt rrugës euroatlantike. Ia ka përmendur njashtu edhe sfidat e sigurisë, të cilat burojnë nga Serbia.

“Jo vetëm Kosova që përballet me sfida të shumta për shkak të sjelljes tepër agresive të fqinjit të saj, por edhe Evropa në përgjithësi dhe e gjithë bota perëndimore përballet me luftëra, me rreziqe, kërcënime të cilat vetëm të bashkuar do të mund t’i përballojmë”, ka deklaruar Gërvalla.

Dy ministret kanë bërë të ditur se gjatë takimit kanë diskutuar edhe rreth mërgatës kosovare në Belgjikë dhe për kontributin e tyre.

E pas pritjes që presidentja Vjosa Osmani ia bëri kryediplomates belge, në Presidencë kanë njoftuar se Lahbibit i është kërkuar që Serbia të mbahet përgjegjëse për sulmin terrorist të 24 shtatorit.

“Në takim, presidentja Osmani e ka informuar ministren Lahbib edhe për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në Kosovë, posaçërisht në lidhje me agresionin e 24 shtatorit të Serbisë ndaj Kosovës dhe nevojën e adresimit të përgjegjësisë së saj për destabilizimin e Kosovës dhe rajonit. Sipas presidentes Osmani, Kosova është një vend modern evropian, demokratik dhe shumetnik që aspiron të bëhet anëtare e plotë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, si dhe e organizatave të tjera ndërkombëtare”, është thënë në njoftimin e Zyrës së Presidentes.

Osmani e ka shprehur interesimin edhe për rritjen e bashkëpunimit me Belgjikën në fushën e ekonomisë, të tregtisë dhe të investimeve, si dhe për marrëveshjen e bashkëpunimit në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes. Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani dhe ministrja Lahbib kanë diskutuar edhe për kryesimin e Presidencës së BE-së nga Belgjika, nga 1 janari.

“Kosova është e interesuar të punojë sa më afër me Presidencën belge për të siguruar progres konkret në procesin e integrimit të Kosovës në BE”, citohet të ketë thënë Osmani në takim.

E kryeministri, Albin Kurti, ia ka kujtuar Belgjikës se Kosova është në pritje të marrëveshjes për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, që nga 15 dhjetori i vitit të shkuar.

“Meqë jemi në prag të Presidencës belge të Këshillit të Bashkimit Evropian, u diskutua edhe për procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, përkatësisht të rrugëtimit të Republikës së Kosovës në atë drejtim. Kosova ka dorëzuar aplikimin e saj për anëtarësim më 15 dhjetor të vitit të kaluar, dhe është në pritje që të marrë statusin e vendit kandidat”, është thënë në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit. Në takimin mes Kurtit e Lahbibit, sipas komunikatës, është folur edhe për situatën e sigurisë në rajon dhe raportet Kosovë-Serbi pas rastit të Banjskës.

Para vizitës në Kosovë, ministrja e Jashtme e Belgjikës ka qëndruar edhe në Serbi dhe në Mal të Zi.