Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Kushtetuesja jep 34 ditë kohë për zgjedhjen e presidentit, dekreti i Osmanit pa efekt juridik

Kuvedni

Foto: Arkiv

Foto: Driton Paçarada

Deputetët e Kuvendit kanë mbi një muaj kohë për ta zgjedhur presidentin e ri të vendit, pasi Kushtetuesja e rrëzoi dekretin e presidentes Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit. Sipas Gjykatës procedura për zgjedhjen e presidentit është dashur të fillojë që nga dita e konstituimit të Kuvendit. Kësisoj në aktgjykim thuhet se afati 60-ditor që e mundëson Kushtetuta, nuk ka mundur të shfrytëzohet nga deputetët. E nëse brenda këtij afati prej 34 ditësh nuk zgjidhet presidenti, vendi shkon në zgjedhje.

Edhe 34 ditë kohë ka dhënë Gjykata Kushtetuese që të zgjidhet presidenti.

Përmes aktgjykimit me të cilin është shfuqizuar masa e përkohshme, gjykata ka thënë se dekreti i presidentes nuk prodhon kurrfarë efekti juridik.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Nga e mërkura sipas Kushtetueses, deputetët kanë 34 ditë kohë për të zhvilluar dhe përfunduar procedurën e zgjedhjes së presidentit.

E, nëse nuk e bëjnë këtë brenda afatit, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të parakohshme.

“Në rast se Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin brenda periudhës së përcaktuar në pikën III të dispozitivit të këtij aktgjykimi, bazuar në nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kuvendi shpërndahet ex constitutione, dhe për pasojë, zgjedhjet e parakohshme për Kuvend duhet të zhvillohen brenda dyzet e pesë (45) ditësh, ashtu siç përcaktohet me paragrafin 2 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafin 6 të nenit 86 [Zgjedhja e Presidentit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në aktgjykim.

Këtë vendim Gjykata arsyeton me argumentin se Kuvendi i konstituuar më 11 shkurt nuk i ka pasur 60 ditë në dispozicion për zgjedhjen e presidentit dhe se deputetët i kanë shfrytëzuar vetëm 26 ditë.

“Gjykata thekson se ka marrë për bazë faktin që Legjislatura X e Kuvendit të Republikës së Kosovës është konstituuar më 11 shkurt 2026, afati gjashtëdhjetë (60) ditor ka filluar nga kjo datë, dhe është pezulluar/ndalur në ditën e njëzetegjashtë (26-të), përkatësisht më 9 mars 2026, ditën kur Gjykata vendosi masën e përkohshme ndaj dekretit të kontestuar të presidentes. Prandaj, marrë parasysh faktin e konstituimit të Kuvendit më 11 shkurt 2026, Gjykata, vlerëson se Kuvendi nuk ka arritur të konsumojë periudhën gjashtëdhjetë (60) ditore për zgjedhjen e presidentit”, thuhet tutje në aktgjykim.

Gjykata as nuk e ka njohur dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit e as nuk e ka cilësuar atë kundërkushtetues.

Por, ka sqaruar se datën e zgjedhjeve do ta caktojë ushtruesja e detyrës së presidentes, që i bie të jetë kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.

“Gjykata thekson se në rastin kur konsumohet periudha gjashtëdhjetë (60) ditore dhe Kuvendi dështon të zgjedhë presidentin e ri, mbi presidentin apo ushtruesin e detyrës së presidentit bie vetëm detyrimi që të caktojë datën e mbajtjes së zgjedhjeve për Kuvend”, thuhet në aktgjykim.

Por, për t’i shmangur zgjedhjet e reja, kryetarja e partisë Alternative dhe ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari Lila, në emisionin “60 minuta” të KTV-së tha se do të ulen të bisedojnë me partitë e tjera për gjetjen e një zgjidhjeje.

Më 6 prill presidentja Osmani ka shpërndarë Kuvendin me dekret dhe pati filluar edhe procedurat për shpalljen e zgjedhjeve të reja.

Pas këtij dekreti dhe pas ankesës së Vetëvendosjes në Kushtetuese deri më sot Kushtetuesja pati bllokuar çdo veprim të presidentes në lidhje me dekretin dhe gjithashtu çdo veprim të Kuvendit deri më 31 mars.