Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Kurti: Vitin e ardhshëm do t’i kemi 600 ushtarë e 500 policë më shumë

Para anëtarëve të strukturave të Lëvizjes Vetëvendosje, kryetari i kësaj partie, Albin Kurti, u mburr për punën 2-vjeçare të ekzekutivit që ai udhëheq. Tha se do të rritet numri i ushtarëve e i policëve. E aktivistëve u bëri thirrje të jenë në komunikim të rregullt me popullin

Para strukturave të Lëvizjes Vetëvendosje, lideri i saj, që është edhe kryeministër, Albin Kurti, rikujtoi sulmin në Banjskë të Zveçanit ku humbi jetën rreshteri Afrim Bunjaku dhe premtoi të punojë më shumë në shtrirjen e sovranitetit në çdo cep të vendit.

Në mbledhjen e të gjitha pikave të Lëvizjes Vetëvendosje, të dielën në Prishtinë, Kurti tha se vitin e ardhshëm FSK-së e Policisë do t’iu shtohen edhe disa qindra pjesëtarë.

“U thoni të gjithë aktivistëve e qytetarëve që nuk do të mund të na ndalin as në jug e as në veri. Sot u bën gjashtë javë që na e vranë rreshterin Afrim Bunjaku, por në vitin 2024 do të kemi 600 ushtarë më shumë e 500 policë më shumë për ligj e kushtetutshmëri, për mbrojtjen dhe sigurinë e Kosovës sonë”, ka thënë Kurti.

Kryeministri foli edhe për qeverisjen e tij 2-vjeçare, duke theksuar se bruto produkti vendor është rritur mbi katër miliardë prej kur e mori mandatin për herë të dytë.

Ai tha se buxheti i shtetit për vitin e ardhshëm do të jetë mbi 3 miliardë euro. E këto mjete u zotua se do t’i shpenzojë në rritjen e cilësisë në arsim, shëndetësi dhe në përmirësimin e infrastrukturës rrugore e hekurudhore.

Nga kjo mbledhje, Kurti ua përçoi edhe një porosi aktivistëve. U kërkoi ta zgjerojnë komunikimin me popullin.

Edhe Kurti lavdërohet për investimin në mbrojtje, njohësit kërkojnë më shumë angazhim Arbëri Kurti lavdërohet për investimin në mbrojtje, njohësit kërkojnë më shumë angazhim

“Në asnjë mënyrë nuk bën të ndihemi rehat sikur e kemi përmbushur misionin kemi ende shumë sfida përpara dhe ende jemi në hapat e parë. Ndryshimin që ne dëshirojmë të sjellim në Kosovë për të kapur hapin e vendeve evropiane, është ende në fillimet e tij. Prandaj së bashku na duhet angazhim në struktura, që të zgjerohet komunikimi me popullin”, ka shtuar Kurti.

Mbledhja u mbajt në përvjetorin e vdekjes së aktivistit Astrit Dehari. LVV-ja ka vendosur që 5 nëntorin ta kthejë në takim të përvitshëm të aktivistëve.