LAJMET E MBRËMJES

Kurti thotë se ka rrezik për sulme të reja

Shfaqja e një organizate të re në veri e thirrja e saj për të sulmuar Policinë e Kosovës është duke u parë si shenjë e depërshkallëzimit të situatës e sulmeve të dhunshme. Sulmet e mundshme nuk i ka hedhur poshtë as kryeministri Albin Kurti, i cili tha se veprimet e sulmuesve deri më tani janë ndalur nga bashkëpunimi i Policisë së Kosovës me KFOR-in.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuciq, është duke lënë të hapur mundësinë që të kthehet në Kosovë.

Në diskutimin mbi sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, të mbajtur në Londër, Kurti ka thënë se kjo është arsyeja pse Vuçiq refuzon të nënshkruajë marrëveshjen e arritur vitin e shkuar.

“Duke mos e nënshkruar (marrëveshjen), Vuçiqi do ta mbajë të hapur opsionin e pushtimit të Kosovës. S’mund të shoh tjetër kuptim substancial të këtij refuzimi për nënshkrim, pos kësaj, ata duan të mbajnë të hapur këtë derë, që të kenë dritare të tjera për t’u kthyer dhe për të përsëritur agresionin”, tha Kurti.

Kreu i Qeverisë ka deklaruar se ekziston rreziku i një sulmi të ri sikurse ai në Banjskë, dhe se një gjë e tillë deri më tani nuk ka ndodhur shkaku i bashkëpunimit të Policisë me KFOR-in.

“Ka gjasa për sulme të reja në Kosovë por mendoj që terroristët duhet të llogarisin në policët e Kosovës, në ushtarët e NATO-së që janë pafundësisht tolerantë. Dhe besoj se kjo është arsyeja kryesore pse ende s’kemi sulm tjetër si Banjska. Ata s’na sulmuan sërish sepse panë patrulla të përbashkëta të Kosovës dhe të NATO-s dhe kemi për të punuar më shumë që të ndalojmë çfarëdo kërcënimi të sigurisë”, tha Kurti.

Thirrje për të sulmuar Policinë e Kosovës e për të rezistuar ndaj veprimeve të tyre, janë bërë të hënën.

Në Mitrovicë te Veriut janë shpërndarë fletushka me mesazhe të tilla, e të cilat mbajnë një stemë me ngjyra të flamurit të Serbisë e emrin e një organizate të re “Mbrojtja popullore”.

Në lidhje me shpërndarjen e këtyre thirrjeve, Policia e Kosovës tashmë ka nisur hetimet.

Zv.drejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë këto mesazhet nuk përbëjnë rrezik serioz për sigurinë.

Thirrjet e tilla, sipas Bedri Elezit, njohës i çështjeve të sigurisë, janë paralajmërime për aktivitete më të dhunshme sesa janë bërë deri më tani.

Sipas tij, organizimi i ri i quajtur si “Mbrojtja Popullore” do të jenë në krye të organizimeve të reja e mbikëqyrjes së veprimeve të dy organizatave të tjera, të shpallura terroriste.

“Është një farë skenari që ka ndodhë edhe vitin e kaluar dhe siç duket po veprohet njëjtë edhe në atë kohë ishin shpërndarë fletushka për të mos zbatu urdhërat e Republikës së Kosovës dhe duket sipas skenarit pritet të përshkallëzohen dhe do të kemi aktivitete më të dhunshme se sa që kemi parë deri më tani”, tha Elezi.

Në lidhje me informacionet për këtë organizim të ri të serbëve, përgjigje nuk kanë kthyer nga Ministria e Punëve të Brendshme.