LAJMET E MBRËMJES

Kurti: S’e forcojmë ushtrinë për t’i sulmuar të tjerët, por për ta mbrojtur veten

Forcës së Sigurisë së Kosovës të premten iu bashkuan 15 oficerë të rinj. Në ceremoninë e diplomimit, ata e bënë betimin për t’i shërbyer vendit me besnikëri e ndershmëri. E prej aty, kryeministri Albin Kurti e vlerësoi forcimin e FSK-së me pjesëtarë të rinj dhe theksoi se Kosova nuk e forcon ushtrinë për t’i sulmuar të tjerët, por për t’u bërë mjaftueshëm e fortë për ta mbrojtur veten

Kanë diplomuar të premten nga Qendra e Studimeve Universitare, 15 kadetë të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ata u graduan pas katër vjetësh përgatitjeje, në shërbim të vendit.

Ermonda Meshi është kadetja e vetme e gjinisë femërore në gjeneratën e klasës 2023, që mori titullin oficere. Ajo ka thënë se diplomën e fituar gjatë shkollimit, ua dedikon xhaxhallarëve të rënë dëshmorë gjatë luftës në Kosovë.

“Është ndjenja më e mirë. Është privilegj ta vesh këtë uniformë, sepse familjarët tonë e kanë dhënë jetën për të dhe është me të vërtetë krenaria më e madhe që e kam përjetuar ndonjëherë”, ka thënë Meshi.

I pranishëm në ceremoninë e diplomimit, kryeministri Albin Kurti tha para kadetëve se FSK-ja është e ndërtuar mbi themelet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe se në një të ardhme të afërt do të bëhet pjesë e NATO-s.

“Me 2240 ushtarë më shumë brenda dy vjetëve, radhët e forcës sonë janë shtuar për 83 për qind. Ne nuk e forcojmë ushtrinë për t’i sulmuar të tjerët, por për të qenë mjaftueshëm të fortë për të mbrojtur vetveten, për një Kosovë më të sigurt, më të drejtë e më të barabartë për të gjithë”, ka thënë Kurti.

Në ceremoni u ndanë edhe shpërblimet për kadetët më të dalluar. Atë të më të mirit e mori Arianit Hoxha, ndërsa Bashkim Berisha u shpërblye për performancën e treguar në cilësi të instruktorit.

Berisha ka thënë se i gjithë grupi ndihet krenar që do t’i shërbejë atdheut.

“Thonë se trupi është shërbyes i mendjes, e para katër vjetësh ne e kishim ndarë mendjen që me trup dhe me gjithë qenien tonë të nisemi në studime ushtarake, që nesër, si oficerë, t’i shërbejmë atdheut. E ajo nesër, ëndërr e djeshme, sot është bërë realitet. Tokën që të parët tanë na e lanë amanet e trashëgimi, obligim dhe përgjegjësi, do të kujdesemi që ta ruajmë me mendje e me shpirt, si gjënë më të çmuar dhe më të shtrenjtë deri në frymën e fundit”, ka thënë Berisha.

E të emocionuar u shprehën edhe prindërit dhe familjarët e kadetëve që folën me krenari për ndjekjen e hapave të paraardhësve nga brezat e rinj.

Lumnije Kryeziu, nënë e kadetit Pashtrik Kryeziu, është shprehur e lumtur që priti këtë ditë të diplomimit të djalit në FSK.

“Ndjenjë më të mirë në jetë nuk kam pasur kurrë. Djali sot e ka kryer shkollën. Qe katër vjet kanë sakrifikuar shumë këta dhe edhe ne për këtë, e këta për neve. Është shumë kënaqësi e madhe për neve që e kemi pritë këtë ditë kaq të madhe për familjen tonë. Meqenëse edhe familjen e kemi pasur ushtarë gjatë luftës, sot edhe ky e ka trashëguar këtë lëmë të tyre”, ka thënë Kryeziu.

E Selman Hoxha është shprehur krenar që Arianiti ka ndjekur hapat e paraardhësve të tij për t’i shërbyer vendit.

“Është ndjenjë e jashtëzakonshme. Është obligim. Është përkushtim e dashuri. Mbi të gjitha, dashuri për vendin dhe atdheun tonë, i cili gjithmonë na obligon, gjithmonë i kemi borxh dhe gjithmonë duhet të jetojmë për të, ta mbrojmë dhe ta sigurojmë paqen dhe zhvillimin në paqe dhe siguri të popullit tonë”, ka thënë Hoxha.

Në ceremoni u bë edhe betimi i kadetëve, si dhe ekzekutimi i drillit ceremonial nga garda ceremoniale e kadetëve.