Rreth një javë pas pranimit të propozimit të ndërkombëtarëve për depërshkallëzimin e situatës në veri, kryeministri Albin Kurti ka prezantuar një zgjidhje me pesë hapa. Propozimi i shkruar i është përcjellë Bashkimit Evropian, dhe u është bërë i ditur edhe përfaqësuesve diplomatikë të vendeve të QUINT-it.
Kryeministri Albin Kurti ka listuar në një letër veprimet për ta shtensionuar situatën në veri.
Zgjidhja që përmban pesë hapa, sipas Kurtit, të hënën i është prezantuar përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell, e emisarit Miroslav Lajçak, si dhe përfaqësuesve diplomatikë të vendeve të QUINT dhe shefit të Zyrës së BE-së, gjatë një takimi që zhvilluan në orët e hershme të së martës.
Në një konferencë shtypi, kryeministri prezantoi hapat, në krye të të cilëve ka vendosur shtrirjen e sundimit të ligjit në katër komunat veriore. E, hapi i dytë flet për tërheqjen e grupeve kriminale dhe zvogëlimin e numrit të pjesëtareve të Njësisë Speciale.
Dy pikat pasuese në letër u referohen aspekteve të sigurisë dhe organizimit të zgjedhjeve të parakohshme në veri.
“Pika e tretë: Policia e Kosovës dhe KFOR apo EULEX-i do të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë çdo pesëmbëdhjetë ditë për të garantuar një ambient të sigurt dhe pa rreziqe për të gjithë dhe për të mbështetur masat e sundimit të ligjit. Pika e katërt: Qeveria e Republikës së Kosovës do të koordinohet me të gjithë akterët dhe do të shpallë zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri”, tha Kurti.
Letra prej pesë pikash, në të cilën Kurti nuk ka marrë përgjigje nga Borrell, përmbyllet me propozimin që Kosova dhe Serbia të takohen këtë javë në Bruksel dhe që BE-ja të sigurojë një plan të zbatimit të Marrëveshjes së 27 shkurtit dhe Aneksit të saj të dakorduar më 18 mars.
Kryeministri i ka quajtur jo fer kërcënimet e edhe përjashtimin e Kosovës nga ushtrimet “Defender Europe 23”, pasi ai nuk iu bind kërkesave për veriun, që i shtruan shtetet aleate.
“Unë i dëgjoj këshillat edhe vendore edhe ndërkombëtare por vendimet na duhet t`i merr Qeveria e Republikës së Kosovës, bazuar në Kushtetutën, ligjet e vendit tonë dhe në vlerësimet që i japin organet e tona të sigurisë dhe mekanizmat e tjerë shtetëror”, tha Kurti.
Shefi i ekzekutivit ka kritikuar edhe Prokurorinë e Shtetit, për, siç tha, pasivitetin karshi shkeljeve e krimeve të kryera në veri të vendit.
“Unë edhe më tej nuk e kuptoj prokurorinë tonë të shtetit. Nuk e kuptoj si është e mundur që përkundër qindra fotografive e video-xhirimeve të shkeljeve të ligjit e të krimeve e të denoncimeve me emër e mbiemër të të gjithë atyre personave nuk ka nuk ka veprime nga prokuroria jonë”, tha kryeministri.
Për depërshkallëzimin e situatës në veri, BE-ja dhe SHBA-ja ia kanë prezantuar më herët Kosovës një propozim i cili kërkon që kryetarët e rinj ta zhvillojnë aktivitetin në ndërtesa alternative dhe që Njësia Speciale të tërhiqet nga ndërtesat komunale.