Në sheshin e Komunës së Podujevës është shpalosur shtatorja e heroit Adem Demaçi. Podujeva është komuna e parë në të cilën shpaloset shtatorja e veprimtarit për lirinë e shqiptarëve. Kryeministri Albin Kurti tha se Demaçi është i përvuajturi më i fortë i lirisë nën çdo kusht.
Shtatoreve të heronjve të luftës së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha, Hakif Zejnullahu e Ilir Konushevci në sheshin e Podujevës u është shuar edhe ajo e veprimtarit Adem Demaçit.
Të dielën sheshi ishte mbushur me qindra qytetarë që përcillnin edhe nga ballkonet shpalosjen e shtatores së Demaçit.
Kryeministri Albin Kurti, njëherësh ish-bashkëpunëtor i Demaçit në Zyrën Politike të UÇK-së në Prishtinë, e vlerësoi atë si njeri të madh që e donte lirinë me çdo kusht.
“Ky njeri i madh, të cilit sot ia lartësojmë në mënyrë solemne peshën e gurit, e ktheu lirinë në kusht të ekzistencës dhe në përvojë intime absolute. Një përvojë e tillë e lirisë e meriton një monument e më shumë. Ky monument dhe fjalët që do ta shoqërojnë në dekada e kanë një synim: në çdo kohë e në çdo paqe duhet të na tregojnë se nuk i përkasim asnjë rendi merite po e huqëm referencën te Baca Adem, si përvojë gjigante e furtunave që i përballte dhe i përvuajturi më i fortë i lirisë nën çdo kusht”, ka thënë Kurti.
Kryetari i Komunës që e financoi ndërtimin e shtatores kujtoi se jo vetëm prejardhja, por edhe veprimtaria e Demaçit janë shtrirë shpesh në rajonin e Llapit.
Bulliqi kujtoi kontributin e heroit kombëtar shqiptar në përfaqësimin politik të UÇK-së.
“Adem Demaçi u shndërrua në ikonë kombëtare me qëndrueshmërinë e tij dhe me sakrificën e tij, u bë pishtar për një popull të tërë. Ai ishte edhe përfaqësues politik i Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në përfaqësimin e luftës çlirimtare dhe jehonës së saj në aspektin ndërkombëtar”, ka deklaruar Bulliqi.
Ndërsa i biri i Adem Demaçit, Shqiptar Demaçi, shprehu dëshirën që nderim të ngjashëm të figurës së Bacës Adem të ketë edhe në vende të tjera.
“Përpos që të ngritet shtatorja këtu ne presim që planet e bëra në Prishtinë, për ngritjen e shtatores të cilat janë qe katër vjet është mirë të riaktualizohen, atje pra ku është vendi në Sheshin “Adem Demaçi” në Prishtinë, të rregullohet një”, ka thënë Demaçi.
Adem Demaçi ishte ndër emrat më të rëndësishëm në Kosovë të përpjekjeve paqësore për liri dhe për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës brenda ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.
Ai është i njohur edhe si “Nelsoni i Ballkanit” shkaku i qëndrimeve kundër represioneve të ashpra të regjimit serb.
Në vitin 1991 Parlamenti Evropian e kishte shpërblyer atë me çmimin “Sakharov” që u jepet personaliteteve për promovimin e lirisë së mendimit.