Kryeministri Albin Kurti ka shkruar në Facebook për zbulimin e shtatores së Ibrahim Rugovës në Podujevë. Kurti ka thënë se Rugova me “fjalën e qetë dhe të urtë, me punën e vazhdueshme dhe të durueshme, përfaqësonte politikat e tij në Kosovë dhe jashtë saj, për liri, për demokraci dhe për pavarësi”.
“Fillimi i dekadës së fundit të shekullit të kaluar ishte i rëndë dhe i vështirë, por: Dr. Gazmend Zajmi ishte në krye të hartimit të kushtetutës për mëvetësi me vetëvendosje; Anton Çetta i printe pajtimit të gjaqeve mes shqiptarëve; Adem Demaçi u kthye te populli i tij pas gjithsej 28 vite nëpër burgje; Dr. Ibrahim Rugova e udhëhiqte Alternativën për pavarësi me një rezistencë paqësore; Dr. Ejup Statovci ishte në krye të rimbëkëmbjes së Universitetit të Prishtinës; Ukshin Hoti organizonte demonstrata popullore e shkruante për demokraci autentike; Akademik Rexhep Qosja dominonte debatet historike dhe frymëzonte rininë patriotike; etj. E në fillim të asaj dekade, pasi ishin kthyer nga stërvitjet ushtarake në Shqipëri, Adem Jashari, Zahir Pajaziti dhe Sali Çekaj organizonin grupet e armatosura drejt formimit të UÇK-së”, ka shkruar ai në Facebook.
“Qëndresa shoqërore që i parapriu protestave aktive studentore dhe luftës së lavdishme çlirimtare, kërkonte angazhim intelektual e kontribut qytetar, përkushtim kombëtar e nivel kulturor, vetëdije politike e afirmim ndërkombëtar. Me fjalën e qetë dhe të urtë, me punën e vazhdueshme dhe të durueshme, Presidenti Rugova përfaqësonte politikat e tij në Kosovë dhe jashtë saj, për liri, për demokraci dhe për pavarësi”, ka thënë tutje Kurti.
Zbulimin e shtatores së Rugovës në Podujevë nga skulptori Gëzim Muriqi, Kurti e ka quajtur pasurim të ikonografisë së shesheve publike në nderim dhe kujtim për Rugovën.
-
Zbulohet shtatorja e Rugovës në Podujevë, Osmani: Testament i idealeve për të cilat punoi
-
Liderët e vlerësojnë kontributin e Rugovës për orientimin politik të Kosovës drejt Perëndimit
-
Kurti: Kur Serbia këmbëngulte që s’ka Republikë të Kosovës, Rugova si president i saj takoi Clintonin
-
Përurohet shtatorja e heroit Afrim Zhitia në Llugë
-
Kurti homazhe te varri i Rugovës: Kontribuues i madh për unitetin e popullit