Në mbështetjen e Polonisë për rrugën integruese të Kosovës llogarisin krerët e institucioneve.
Gjatë takimeve të kryediplomatit polak, Zbigniew Rau, me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti e kryekuvendarin Glauk Konjufca, vend zuri edhe diskutimi për situatën e krijuar pas agresionit rus në Ukrainë.
Pas takimit, nëpërmjet një njoftimi për media, në Zyrën e presidentes thanë se “Kosova është e përkushtuar të kontribuojë për një Evropë më paqësore”.
“Sipas presidentes Osmani, Kosova ka shënuar progres në fushën e sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Ndërkaq sa i përket dialogut me Serbinë, presidentja Osmani ka theksuar se Kosova vazhdimisht është palë konstruktive dhe se procesi duhet ta ketë në qendër njohjen e ndërsjellë. Përveç kësaj, me ministrin Rau, presidentja Osmani diskutoi edhe për përkushtimin e Kosovës për ta mbështetur popullin ukrainas, i cili po përballet me luftën e paprovokuar të Rusisë, për thellimin e marrëdhënieve miqësore me Poloninë, si dhe për nevojën për ta përshpejtuar perspektivën euroatlantike të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Për marrëdhëniet mes dy shteteve u tha të jetë diskutuar në takimin që shefi i diplomacisë polake e zhvilloi me kryeparlamentarin Glauk Konjufca.
“Kryetari Konjufca dhe ministri Rau biseduan për intensifikimin e bashkëpunimit mes dy shteteve dhe angazhimin e Polonisë në rajon si kryesuese e radhës e OSBE-së. Po ashtu u shkëmbyen mendime rreth punës së legjislativit, progresit që ka shënuar Kosova me ndërmarrjen e reformave në fushën e sundimit të ligjit, lirisë së shprehjes, demokracisë, sistemit zgjedhor dhe të drejtave të njeriut, si dhe bashkëpunimin e Kuvendit me misionin e OSBE-së në Kosovë. Kryetari i Kuvendit shprehu mirënjohje për mbështetjen e Polonisë dhe intensifikimin e bashkëpunimit, teksa ritheksoi se e ardhmja e Republikës së Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Punën që thotë se e ka bërë, kryeministri Albin Kurti ia përmendi edhe ministrit polak e që njëherësh është edhe kryesues i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.
Në njoftimin e ekzekutivit, Kurti citohet të ketë folur për rritjen ekonomike, rritjen e investimeve të huaja e në punën kundër krimit e korrupsionit.
“Kur njerëzit kanë shpresë, atëherë shpenzojnë më shumë sesa kursejnë dhe kur shohin se nuk ka korrupsion në Qeveri, kanë më shumë gatishmëri që t’i paguajnë taksat, tha ai, gjersa si arsye të qëndrueshme për investime në Kosovë përmendi pozitën e favorshme gjeografike, popullatën e re, kreative dhe të talentuar, njohjen e mirë të gjuhës angleze, shtrirjen e gjerë të rrjetit të internetit e politikën stabile fiskale”, ka njoftuar Kryeministria.
Por, kryesuesi i OSBE-së, në një deklarim për media, nuk e përmendi mbështetjen për Kosovën.
Ai tha se në takimet me krerët e institucioneve të Kosovës e përfaqësues të tjerë, ka pasur synim tjetër.
“Qëllimi i vizitës sime në Kosovë ka qenë që të takohem me liderë institucionalë dhe partnerë të OSBE-së në Kosovë dhe të marrë informata të dorës së parë për sa u përket reformave në vijimësi në fushën e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit, rritjen e lirisë së medias dhe avancimit të reformës zgjedhore. Kemi diskutuar për mënyrat e ndryshme që OSBE mund të ofrojë ndihmën e saj përmes operacioneve në teren”, është shprehur Rau.
Gjatë vizitës në Kosovë, kryesuesi i OSBE-së është takuar edhe me ministrin për Kthim dhe Komunitete, Goran Rakiq, e kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi