Kryesuesi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Zbigniew Rau, ka thënë se qëllimi i vizitës së tij në Kosovë, ka qenë për informim për reformat në fushën e drejtësisë e avancimin e reformës zgjedhore.
Në një konferencë për media pas takimeve me krerët e Kosovës dhe kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ministri i Jashtëm pollak ka thënë se OSBE-ja e vlerëson partneritetin dhe bashkëpunimin me autoritetet e Kosovës.
“Qëllimi i vizitës sime në Kosovë ka qenë që të takohem me liderë institucional dhe partner të OSBE-së në Kosovë dhe të marr informata të dorës së parë për sa i përket reformave në vijimësi në fushën e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit, rritjen e lirisë së medias dhe avancimit të reformës zgjedhore. Kemi diskutuar për mënyrat e ndryshme se si OSBE mund të ofrojë ndihmën e saj përmes operacioneve në terren”, ka thënë Rau.
“Përmes pranisë në terren, OSBE kontribuon në zhvillimin e mëtejmë të një shoqërie demokratike multietnike. Shpresoj sinqerisht se kjo do të kontribuojë në stabilitetin dhe pajtimin në Evropën Juglindore. Sot jam takuar po ashtu me aktivistë të rinj që përfaqësojnë komunitete të ndryshme dhe segmente të ndryshme të shoqërisë civile. Më duhet të them se jam frymëzuar nga profesionalizmi dhe entuziazmi i tyre për të shërbyer si shtytës të ndryshimeve pozitive në vendin tuaj”, ka thënë ai.
Ndërkaq, në një komunikatë për media, Qeveria e Kosovës ka thënë se në takimin që kryeministri Albin Kurti ka pasur me Raun është diskutuar për avancimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve dhe për paqen e sigurinë në rajon dhe Evropë.
Kurti ka falënderuar Poloninë për përkrahjen për Kosovën, ndërsa e ka njoftuar Raun “për progresin në një vit qeverisje, rritjen ekonomike prej 10,3 për qind të bruto produktit vendor, rritjen e investimeve të huaja direkte për 22 për qind, të hyrave tatimore për 54 për qind, rritjen e eksporteve për 83,6 për qind në fushat e procesimit të lëndëve të drurit, lëkurës, tekstilit, ushqimit, pijeve dhe të sektorit të teknologjisë së komunikimit dhe të informacionit”.
“Kur njerëzit kanë shpresë atëherë shpenzojnë më shumë sesa kursejnë, dhe kur shohin se nuk ka korrupsion në qeveri kanë më shumë gatishmëri që të paguajnë taksat, tha ai, gjersa si arsye të qëndrueshme për investime në Kosovë përmendi pozitën e favorshme gjeografike, popullatën e re, kreative dhe të talentuar, njohjen e mirë të gjuhës angleze, shtrirjen e gjerë të rrjetit të internetit e politikën stabile fiskale”, thuhet në njoftimin e Qeverisë për deklaratën e Kurtit në takimin me Raun.
Kurti veçoi potencialin njerëzor që ka Kosova, e që bazohet në rininë kreative, dhe tha se nxitjen dhe përkrahjen e aplikuesve të inovacioneve dhe teknologjisë Qeveria e Kosovës e sheh si prioritet dhe rrugë drejt zhvillimit shoqëror dhe ekonomisë së qëndrueshme.
Sipas njoftimit të Qeverisë, Rau lavdëroi reformat progresiste dhe ruajtjen e harmonisë sociale, duke i vlerësuar si rrugën e duhur të qeverisë.
“Ai vuri theksin te raportet miqësore dhe domosdoshmëria e rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe të investimeve të kompanive polake. Ndërsa në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së, shprehu gatishmërinë e organizatës për të ndihmuar në reformën zgjedhore”, thuhet në njoftim të Qeverisë.
Kurti ka thënë se dialogu me Serbinë duhet të përfundojë me një marrëveshje që ka në qendër njohjen e ndërsjellë dhe nga e cila përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve.
potencua rreziku për destabilizim të rajonit pas invazionit dhe agresionit të paprovokuar dhe të pajustifikuar ushtarak në Ukrainë dhe të dy bashkëbiseduesit u pajtuan që zhvillimet aktuale politike duhet të vëzhgohen me vigjilencë dhe gjithnjë në funksion të paqes dhe shpresës për të ardhmen”, thuhet më tej në njoftim të Qeverisë.