Rregullorja për Pronësinë dhe Koncentrimin e Mediave vendos baza mbi kufijtë se sa kabllorë dhe sa televizione mund t’i ketë në pronësi një kompani. Parasheh ndalesa pronësie mbi televizione e kabllorë për përkatësit e ndonjë partie politike, deputetëve, si dhe bashkësive fetare. Krahas kësaj, është vendosur që në programet e natyrës së “Reality Show” të vendoset kodi për të mbrojtur fëmijët nga gjuha vulgare dhe sjelljet e pahijshme
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka miratuar të enjten një rregullore të re, e cila i përcakton kushtet që mediat dhe kabllorët e licencuar duhet t’i plotësojnë rreth çështjes së pronësisë dhe shitblerjes, duke vendosur baza mbi kufijtë se sa kabllorë e sa televizione mund t’i ketë në pronësi një kompani.
Në raportet e Bashkimit Evropian (BE) për Kosovën si një kërkesë e njëpasnjëshme është shprehur angazhimi i institucioneve për transparencën e pronësisë së mediave dhe ndërmarrja e hapave në përafrim të praktikave me Direktivën Evropiane për Shërbimet Audivizuale, ku pluralizmi mediatik quhet interes i përgjithshëm i publikut. Në mbledhjen e 24 nëntorit të sivjetmë, KPM-ja ka gjobitur 11 media për ndryshim të pronësisë pa lejen e saj. Gjobat ndaj katër televizioneve dhe shtatë radiove kanë kapur vlerat prej 1.000 deri në 5.000 euro.
Jeton Mehmeti, kryetar i Bordit të KPM-së, e ka kualifikuar si të domosdoshme rregulloren e re.
“Ajo çfarë kemi parë dhe çfarë mund të kemi në të ardhmen ndoshta, sikur të mos e bëjmë këtë rregullore, mund të jetë një tendencë nga operatorë më të mëdhenj, nga televizione apo radiot pak më të fuqishme, që të blejnë radio apo televizione më të vogla, që të blejnë operatorë më të vegjël dhe kësisoj të shkojmë drejt një situate, kur mund të kemi vetëm dy apo tri mediume të fuqishme private në vend apo dy-tre operatorë të fuqishëm në vend. Dhe kjo nuk është në frymën e Ligjit të KPM-së, nuk është në frymën e politikave të KPM-së dhe dëshirojmë që të ndalojmë çfarëdo hovi të mundshëm, çfarëdo ambicie të mundshme që mund ta kenë operatorët në mënyrë që ta ruajmë mundësinë që të kemi në vendin tonë media lokale, të kemi media rajonale dhe regjionale dhe të kemi media nacionale – secila në shërbim të komuniteteve të tyre”, ka theksuar ai.
Rregullorja, e cila e ka marrë mbështetjen e të gjithë anëtarëve të Bordit, parasheh që licencat të shkrihen në një po qe se një medium i licencuar e blen një tjetër po ashtu të licencuar.
“Bashkimi ose shkrirja e dy ose më shumë ofruesve të shërbimit medial në nivel nacional ndalohet me këtë rregullore, përveç nëse këta ofrues heqin dorë prej njërës nga licencat e transmetimit dhe nuk cenohen kushtet e tjera të definuara me këtë rregullore dhe Ligjin e KPM-së”, theksohet në nenin 4, pikën 9 të rregullores.
Kjo rregullore u lejon kabllorëve që të kenë një televizion me përmbajtje të përgjithshme dhe një me kanal tematik.
“Një person fizik ose juridik, që ka licencë të operatorit të shpërndarjes, mund të ketë në pronësi maksimumin një OSHMA, pra Operator të Shërbimeve Audiovizuale me karakter gjeralistik, si dhe kanale tematike, në kuadër të të cilave, jo më shumë se një tematikë me karakter informativ”, ka thënë Mehmeti.
Krahas kësaj, mediave dhe kabllorëve të licencuar që kryejnë shkelje të përsëritura të Ligjit dhe të rregulloreve të KPM-së mund t’u refuzohet marrja e licencës, transferimi i saj apo aprovimi i ndryshimit të pjesshëm të pronësisë. Rregullorja për Pronësinë dhe Koncentrimin e Mediave e ndalon po ashtu pronësinë e mediave edhe për pjesëtarët që bëjnë pjesë zyrtarisht nëpër parti politike, deputetëve, si dhe bashkësive fetare. Miratimi i kësaj rregulloreje, sipas anëtarëve të Bordit KPM-së, e përbën hapin e parë të madh drejt vendosjes së kornizave mbrojtëse të tregun mediatik.
Në mbledhjen e së enjtes, KPM-ja ka miratuar edhe Rregulloren për komunikimet komerciale dhe një për mbrojtjen e fëmijëve. Ka vendosur që programet “Reality show”, si vendore ashtu edhe të huaja, të përmbajnë kod si kusht për qasje. Kjo gjë, sipas anëtarëve të Bordit të KPM-së, është bërë me qëllim të mbrojtjes së fëmijëve.
“Të gjitha programet reality show duhet të jenë të koduara. “Reality TV” mund të ndikojnë në gjuhën e tyre (fëmijëve), në sjelljen e tyre. Rregullorja parasheh edhe shenjat përkatëse për secilin program (v.j moshën kur konsumi i përmbajtjes është i përshtatshëm)”, ka bërë të ditur Mehmeti.
Luljeta Aliu, anëtare e Bordit të KPM-së, ka thënë se pamjet e sjelljet që shpërfaqen nëpër “Reality show” mund t’i çorientojnë fëmijët.
“Duhet t'i mbrojmë fëmijët nga gjuha vulgare dhe t'i mbrojmë nga skenat që mund të shërbejnë si shembull për sjelljet e tyre”, ka thënë ajo.
Anëtarët e Bordit të KPM-së kanë thënë se miratimi i tri rregulloreve i plotëson masat legjislative, për të cilat është zotuar Komisioni në kuadër të Programit Kombëtar për Integrim Evropian 2023.