Masa teknike për mbrojtjen e rrjetit nga mbingarkesa i ka kualifikuar Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, reduktimet në furnizim me rrymë që janë evidentuar ditëve të fundit nëpër disa komuna. E tek janë bërë thirrje për kursim të energjisë elektrike, në Termocentralin Kosova B ka dalë nga funksioni Blloku B1
Premtim për zgjidhjen e telasheve me ndërprerje të energjisë elektrike në Rahovec dhe në Malishevë nëpërmjet ndërtimit të një nënstacioni të ri ka dhënë të mërkurën ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, Shaban Neziri.
Në këto dy komuna, Neziri tha se gjatë javës janë zbatuar ndërprerje të përkohshme dhe të kontrolluara të rrymës, si masë teknike për ruajtjen e infrastrukturës nga mbingarkesat në rrjet.
“Zona më e ndjeshme aktualisht mbetet zona Rahovec–Malishevë, që fatmirësisht dje vendosëm gurin themeltar e Nënstacionit të ri 220/35/10(20) kV në Malishevë—një investim që do të rrisë kapacitetin, dhe do të zgjidhe problemin e këtyre zonave dhe më gjerë. Ky projekt është investim vetjak i KOSTT-it në vlerë prej 6.78 milionë eurosh dhe është i planifikuar të përfundojë brenda 13 muajve”, ka thënë Neziri.
Krahas Rahovecit e Malishevës, ditëve të fundit janë evidentuar probleme me furnizimin me rrymë edhe në disa komuna të tjera. Në KOSTT kanë thënë gjatë një konference shtypi të mërkurën se kjo është pasojë e rritjes së konsumit, e që ka bërë që ngarkesa në sistem të kalojë 1500-megavatëshin.
Rritja e konsumit u atribuohet rënies së temperaturave dhe rritjes së nevojës për ngrohje që zakonisht bëhet me rrymë, si edhe vizitës së mërgimtarëve për fundvit, kur gjithashtu ka rritje konsumi.
Për reduktimet në zonat që furnizohen nga nënstacionet në Rahovec, Prizren dhe Lipjan, si dhe për një dyorësh në Gjilan, Neziri theksoi se janë pasojë e ndërhyrjeve të KOSTT-it, ndërkaq për të tjerat, përgjegjësinë ia barti KESCO-s.
“Këto janë masa teknike për sigurinë e rrjetit. Çdo reduktim tjetër që qytetarët mund ta kenë ndier në nivel të furnizimit nuk është e shkaktuar nga ne”, ka theksuar ai.
Neziri u bëri thirrje qytetarëve dhe bizneseve që të kursejnë energjinë elektrike dhe që pajisjet me konsum të lartë energjie të mos përdoren gjatë orëve të pikut – e që janë nga 09:00 e mëngjesit deri në 11:00, nga 16:00 në 19:00, si dhe nga 22:00 në 23:00.
E në ditën kur u adresuan thirrje për kursim, Blloku B1 i Termocentralit Kosova B ka rënë nga sistemi, duke i lënë në funksion blloqet A3, A4 dhe A5, si dhe atë B2.