Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Konjufca: Fillimisht njohja de-facto nga Serbia e pastaj Asociacioni

Një kusht për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe e ka theksuar kryeparlamentari Glauk Konjufca. Ai tha se Kosova nuk duhet të bëjë asgjë për Asociacionin, pa u siguruar njohja de-facto nga Serbia. Por në Beograd u kundërpërgjigjën, duke thënë se nuk do të ketë as njohje de-facto e as de-jure.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca shprehu qëndrimin se Kosova nuk duhet të ndërmarrë veprime për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pa u siguruar njohja de-facto nga Serbia.

Sipas tij, marrëveshja e fundit Kosovë-Serbi është e ndërtuar në dy binarë, dhe binari i parë është njohja faktike.

“Binari i dytë është Asociacioni, të cilin Kosova, qeveritë e mëparshme dhe një mazhorancë e mëparshme në vitin 2013 e ka pranuar. Kjo i referohet marrëveshjes 2013. Tash çka duhet të tregojë Kosova është që nuk ka kurrfarë obligimi dhe nuk duhet ta bëjë asnjë, pa u realizuar binari i parë, që është pra njoha de-facto”, ka thënë Konjufca.

Në takimin e 2 majit në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kryetemë pritet të jetë Asociacioni.

Këtë ditë, drafti i Statutit të Asociacionit do të paraqitet nga një grup menaxhues i emëruar vite më parë dhe që në përbërje ka serbë të caktuar nga komunat e veriut, e një nga të cilët është bërë deputet në Serbi.

Kryeparlamentari Konjufca nuk pret që dokumenti të jetë i pranueshëm, ngjashëm sikurse drafti i parë që ishte hartuar.

“Unë mendoj, nëse ky ‘menaxhment-team’ ofron një draft i cili është sipas interesave të Serbisë, unë mendoj që me e udhës për Kosovën është që të shkarkohet ky menaxhment”, është shprehur ai.

Edhe Konjufca: Asociacioni s’duhet pranuar pa ardhur njohja de facto nga Serbia Arbëri Konjufca: Asociacioni s’duhet pranuar pa ardhur njohja de facto nga Serbia

Kryeparlamentarit Konjufca i ka reaguar drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. Ai ka thënë se Kosova po përdor alibi për të shmangur, sipas tij, një detyrim që e ka marrë nëpërmjet marrëveshjeve.

“Beogradi nuk do ta njohë as de-facto e as de-jure pavarësinë e së ashtuquajturës Kosovë, por formimi i Asociacionit është kushti i të gjitha kushteve për normalizim të raporteve Beograd-Prishtinë dhe parakusht për të gjithë hapat e tjerë në këtë drejtim”, ka thënë Petkoviqi.

Kryeministri Kurti ka pranuar formimin e Asociacionit, por ka theksuar se atij nuk do t’i njihet ndonjë kompetencë ekzekutive.