LAJMET E MBRËMJES

Komunat, pos ato të VV-së, kundërshtojnë propozimin e Muratit

Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës ka kërkuar që ministri i Financave, Hekuran Murati, ta pezullojë vendimin për rivlerësimin e pronave, nga i cili është shkaktuar ngarkesa në pagesë. Sipas Asociacionit, komunat nuk mund të falin tatimin në pronë, siç ka propozuar Murati. E ekonomistët kanë vlerësuar se propozimi i ministrit paraqet joseriozitet institucional. Të vetmit që e kanë mirëpritur propozimin janë komunat që qeverisën nga partia në pushtet – Lëvizja Vetëvendosje

Propozimi i ministrit, Hekuran Murati, që komunat t’ua falin qytetarëve 100 eurot e para të tatimit në pronë, si reflektim ndaj ngarkesës tatimore pas rivlerësimit që Ministria e Financave u ka bërë pronave, nuk ka gjetur mbështetje.

Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës të shtunën ka kërkuar që ministri ta pezullojë vendimin për rivlerësimin e pronave, nga i cili është shkaktuar ngarkesa për qytetarët dhe ka theksuar se, në bazë të ligjeve në fuqi, komunat nuk mund të falin tatimin në pronë.

“Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës kërkon nga Ministria e Financave, Transfereve dhe Punës që vendimi për rivlerësimin e pronave të pezullohet dhe që qytetarët e Republikës së Kosovës të paguajnë vlerën e faturës së tatimit në pronë për vitin 2023, ashtu siç e kanë paguar në vitin 2022. Komunat e RKS-së nuk mund të falin tatimin në pronë sepse kjo nuk është kompetencë e komunave, në të kundërtën kërkojmë nga MFTP të krijojë infrastrukturë ligjore ku do t’ua mundësojë komunave faljen e tatimit në pronë bazuar në vendime të Kuvendit të Komunës”, thuhet në komunikatën për media të këtij asociacioni.

Lidhja Demokratike e Kosovës që qeveris me shtatë komuna, në një konferencë për shtyp, po ashtu nuk e ka përkrahur propozimin e ministrit Murati.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, ka thënë se kuvendet komunale nuk kanë të drejtë që t’i falin borxhet e tatimit në pronë

“Propozimi i ministrit Murati për falje të tatimit në pronë për vitin 2023 dhe sidomos thirrja e grupeve komunale të VV-së për të votuar falje të tatimit në pronë në kuvendet komunale është totalisht qesharake dhe amatorizëm politikë dhe ekonomik. Kuvendet Komunale nuk kanë të drejtë që të falin borxhe sepse tatimi në pronë është obligim që rrjedh nga ligji për tatim në pronë i votuar në Kuvendin e Kosovës dhe si rezultat vetëm Kuvendi i Kosovës e ka atë drejtë që të falë obligimet që dalin nga ky ligj”, ka thënë Zogaj.

E deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kërkuar nga Ministria e Financave që me vendim të veçantë të pezullojë aplikimin e rivlerësimit të fundit të patundshmërive në vend.

“LDK-ja kërkon nga Ministria e Financave që me vendim të veçanta të pezullojë aplikimin e rivlerësimit të fundit të patundshmërive në vend dhe faturat e vitit 2023 të llogariten sipas vlerësimeve të faturave të vitit 2022. Të procedojë sa më parë ligjin e ri për tatimin në pronë. Propozimi i ministrit Murati është amatorizëm politik dhe shenjë e qartë e paaftësisë së tij. Ai nuk e ka idenë se si funksionon ekonomia”, ka thënë Bajrami.

Të vetmit kryetarë të komunave që kanë mirëpritur propozimin janë ata që vijnë nga Vetëvendosje, partia në pushtet.

VV-ja qeveris më katër komuna, ndër to edhe me Podujevën. Kryetari i kësaj komune, Shpejtim Bulliqi, ka mbështetur propozimin e ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, për faljen e 100 eurove të para të tatimit në pronë. Në një postim në Facebook, Bulliqi ka thënë se ky propozim do të paraqitet qysh në mbledhjen e parë të Komitetit për Politikë dhe Financa.

Thirrje të seancave të jashtëzakonshme për këtë çështje kanë paralajmëruar edhe kuvendarët e Fushë-Kosovës dhe Obiliqit.

Asamblisti i LVV-së në Prishtinë, Arianit Beqiri, ka thënë se beson në vullnetin e lirë të të gjithë asamblistëve për të mbështetur këtë kërkesë.

“Ndonëse ne e dimë që është kërkuar edhe nga Asociacioni i Komunave që një gjë e tillë të pezullohet, ne shohim që është më e leverdishme dhe në fakt më mirë e menduar të falen 100 euro sesa të pezullohet për shkak se pezullimi nuk nënkupton që ajo nuk do të paguhet, por vetëm do të thotë që tani të mos paguhet dhe kjo prapë se prapë në një moment tjetër do të paguhet. Kështu që mendojmë që falja e 100 eurove është rruga më e mirë”, ka thënë Beqiri.

Por, ekonomisti Safet Gerxhaliu thotë se propozimi për faljen e 100 eurove të para nga shuma vjetore e tatimit në pronë paraqet joseriozitet institucional.

“Duhet të kemi pezullim të vendimit mbi rritjen e taksës për pronën private dhe e dyta të vazhdohet aty ku ka mbetur ligji mbi pronën private, në tetor të viti 2022, me një përshpejtim dhe me një azhuritet të kalohet në Parlament dhe të votohet dhe të ketë një komunikim më të mirë mes komunave edhe instancave të larta shtetërore se është duke munguar”, ka thënë Gerxhaliu.

Zyrtarë të Ministrisë së Financave gjatë së shtunës sqaruan nëse do të shqyrtohet kërkesa e Asociacionit të Komunave për pezullimin e vendimit për rivlerësim të pronave.

Të premten, përmes një konference për shtyp dhe në Komisionin Parlamentar për Buxhet, Financa dhe Transfere, ministri Hekuran Murati paraqiti shpjegimin e tij për rritjen e faturave të tatimit në pronë dhe shpalosi propozimin për faljen e 100 euro të tatimit në pronë.

Rivlerësimi i pronave i kryer vitin e kaluar nga Ministria e Financave ndikoi që tatimi në pronë të rritet deri në 100 për qind, varësisht nga zonat. Ky proces, që bëhet çdo 3 apo 5 vjet, nxiti reagime te qytetarët, të cilët e kualifikuan rritjen si të papërballueshme.

Normat tatimore, bazuar në Ligjin për tatimin në pronë, përcaktohen nga komunat dhe fillojnë nga 0.15 për qind deri në 1 për qind. Ky ligj është në proces të ndryshimit dhe është propozuar që komunat të mos kenë kufizime në përcaktimin e normës tatimore.