Pas sulmit të Faruk Mujkës ndaj KTV-së dhe autores së emisionit “Konfront”, Mimoza Koprani-Muçaj, Grupi KOHA ka paralajmëruar padi ndaj tij. Kryeredaktorja Brikenda Rexhepi ka thënë se është i papranueshëm sulmi ndaj televizionit. Sulmin e kanë dënuar edhe organizata për mbrojtjen e gazetarëve si dhe pjesëtarë të shoqërisë civile
Grupi KOHA ka dënuar sulmin që kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes “Ibër-Lepenci”, Faruk Mujka bëri ndaj KTV-së dhe autores së emisionit “Konfront”, Mimoza Koprani-Muçaj.
Teksa transmetohej intervista në KTV me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, të mërkurën mbrëma, zyrtari i partisë në pushtet përmes një postimi në rrjetet sociale kritikoi pyetjet që shtroi Koprani–Muçaj, duke e krahasuar KTV-në dhe autoren e këtij mediumi me mediet e kontrolluara të Rusisë, “Sputnik” dhe “Rusia Today”.
Mujkës i kanë penguar pyetjet rreth kostos së riparimit të kanalit të “Ibër-Lepencit” dhe të kredibilitetit të tij.
Kryeredaktorja e Grupit KOHA, Brikenda Rexhepi, ka thënë se është i papranueshëm sulmi ndaj KTV-së.
“Nuk ka pyetje që nuk bëhen në KOHË si dhe nuk ka fakte që nuk publikohen në KOHË. Ne për zotëri Mujkën kemi raportuar edhe më herët sa ka qenë nënkryetar i Komunës, pastaj punësimi i tij në ndërmarrje, arrestimi i tij, bastisja e shtëpisë, të gjitha këto i kemi raportuar. Ajo që ka bërë mbrëmë është e papranueshme dhe natyrisht e dënojmë”, ka thënë Rexhepi.
Ajo u ka bërë thirrje të gjithë personave që kanë fakte apo informata për keqpërdorim në institucionet publike t’i drejtohen KOHËS.
“Ne si KOHË, vazhdimisht kemi raportuar, jo vetëm këtë rast çdoherë për keqpërdorime të tilla dhe tani shfrytëzoj rastin që t’i ftojë të gjithë ata që kanë informata, dëshmi për keqpërdorime të zyrtarëve publikë, të pushtetit që të na drejtohen, ne jemi shumë të interesuar si çdoherë që ta shpalosim të vërtetën për opinionin, publikun tonë”, është shprehur Rexhepi.
Për këtë sulm, Grupi KOHA ka paralajmëruar se kryeshefi i ndërmarrjes “Ibër-Lepenci”, Faruk Mujka, do të përballet me drejtësinë.
“Reagimi i Mujkës nuk është rast, por pasojë dhe fenomen. Është fatkeqësi, përveçse shkelje, që në poste publike aterrojnë të tillë zyrtarë partiakë e të dyshuar për korrupsion. Mujka nuk e ka hall integritetin moral dhe as të vërtetën. ‘Akuadukti’ i reagimit ndaj KOHËS është tentimi për të dalë i shpërlarë në breg. Por Ibri dhe Lepenci nuk lajnë imazhe. Mujka do të përballet sërish me drejtësinë. Kësaj radhe si keqpërdorues i fjalës së lirë”, thuhet në përgjigjen e Kohës ndaj zyrtarit të LVV-së.
Kundër Mujkës kanë reaguar edhe organizata për mbrojtjen e gazetarëve, si dhe pjesëtarë të shoqërisë civile.
“AGK-ja dënon gjuhën linçuese të Faruk Mujkës kundër gazetares së KTV-së, Mimoza Koprani-Muçaj. AGK-ja konsideron se kjo është një gjuhë e papranueshme dhe shumë e rrezikshme ndaj gazetares dhe mediumit ku punon ajo. Mujka dhe zyrtarë të tjerë publikë duhet të ballafaqohen me të gjitha pyetjet që ngrenë për interesin e publikut dhe të ndalojnë së përdoruri gjuhë denigruese”, thuhet në reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.
Me reagim ka dalë edhe Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës.
“Këto lloj kërcënimesh, sidomos ndaj grave gazetare, janë gjithmonë të ngarkuara me ngjyrime seksiste dhe kanë për qëllim t’i frikësojnë dhe t’i dekurajojnë koleget tona nga ushtrimi i profesionit të tyre”, thuhet në reagim.
KOHA vitin e kaluar pati raportuar se si Faruk Mujka, mori kundërligjshëm pagë vjetore bruto prej afro 40 mijë eurosh për dy pozitat zyrtare që mbajti, atë të kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes “Ibër-Lepenci”, si dhe atë të asamblistit në Kuvendin Komunal në Komunën e Mitrovicës së Jugut.
Po të njëjtin vit, Mujka bashkë me Hysen Muzliukajn, këshilltarin e ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, ishin arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë kohës sa ishin në pozita udhëheqëse në Komunën e Mitrovicës.
Prokuroria Speciale pati njoftuar se pas bastisjes në dy prona të të dyshuarve ka gjetur dhe sekuestruar 60 mijë euro.