LAJMET E MBRËMJES

Kërkimet shkencore nuk marrin fokus në buxhetin e UP-së për vitin 2023

Buxheti i planifikuar për sektorin e arsimit për vitin e ardhshëm është mbi 200 milionë euro. Nga kjo shumë 32 milionë janë planifikuar për Universitetin e Prishtinës.

Pjesa më e madhe e këtij buxheti është paraparë për paga e jo për investime kapitale a kërkime shkencore.

Të mërkurën në Komisionin parlamentar për arsim, ku u diskutua Projektligji mbi ndarjet buxhetore për vitin 2023, stafi menaxherial i UP-së e edhe deputetë të partisë në pushtet shprehën pakënaqësinë për shumën e ndarë.

“Një profesor do t’i kushtojë Universitetit 15 mijë euro vetëm paga, me ç’rast kjo rrit koston në mënyrë enorme dhe këto nevoja të UP-së nuk janë reflektuar në ndarjet buxhetore aktuale. Është e qartë, është organizative, e veçantë buxhetore dhe kjo ishte dashur të adresohej në Ministri të Financave, por unë mendoj që këto nevoja elementare do të duhej menduar në pozicionin në raport me UP-në”, ka theksuar kryetari i Komisioni për Arsim, deputeti i LVV-së, Ardian Gola.

E ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka theksuar se buxheti që ndahet për shkencë nuk arrin të shpenzohet i tëri, në mungesë të interesimit për të bërë kërkime shkencore.

“Edhe në Ministri të Arsimit i gjithë buxheti për shkencën nuk arrin të shpenzohet për aq sa është i alokuar, ne kemi obligim dhe punë se si t’i gjejmë dhe t’i motivojmë ata për hulumtime shkencore, të rinjtë e gjithë shkencëtarët për të punuar në mënyrë të mirëfilltë në shkencë”, është shprehur Nagavci.

Rektori i ri i UP-së, Qerim Qerimi, i cili raportoi për herë të parë para deputetëve, u zotua se do të fokusohet në motivimin e profesorëve dhe të studentëve për të bërë kërkime shkencore. Ai premtoi edhe luftimin e plagjiaturës.

“Kodi i Etikës e ofron një bazë të mirë, por është shumë i përgjithshëm, në disa drejtime i ngjason më tepër një teksti doktrinar sesa një instrumenti normativ. Do të duhej një precizim më i saktë i shkeljeve dhe shkallës së shkeljeve dhe një lidhje e mirë, e pastaj masat që do të shqiptohen. Unë parashoh që për disa raste më komplekse, më delikate, do të na duhej që në fillim të paktën të ngremë komisione me përbërje të ekspertëve ndërkombëtarë që kanë përvojë për çështje të integritetit akademik”, ka thënë Qerimi.

Ministria e Arsimit ka ndarë 150 mijë euro për blerjen e sistemit antiplagjiaturë, e cila do të funksionojë nën ombrellën e Agjencisë Kosovarë për Akreditim.