LAJMET E MBRËMJES

Ish-kryeshefi i PTK-së lirohet nga akuza për lidhje të kontratës së dëmshme

Gjykata Themelore në Prishtinë e liroi nga akuza për lidhje të kontratës së dëmshme, ish-kryeshefin e Postës dhe Telekomit të Kosovës, Shyqyri Haxha. Në seancën gjyqësore u konstatua se nënshkrimi i Haxhës në këtë kontratë nuk pati kurrfarë detyrimi për PTK-në. Haxha më 2013 ishte liruar edhe nga akuza për lidhje të kontratës me Z-Mobile. E eksperti i telekomunikacionit, Ismet Hamiti, thotë se gjykimet e deritanishme janë strategji për amnistimin e krimeve të bëra në Telekom

Shyqyri Haxha është liruar nga akuza për lidhjen e një kontrate të dëmshme në kohën sa ishte kryeshef i Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Gjyqtari Sabit Sadikaj, në seancën gjyqësore të së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, konstatoi se nënshkrimi i kontratës nga Haxha nuk ka pasur kurrfarë detyrimi për PTK-në.

“Gjykata në këtë përfundim ka ardhur pasi që, duke u bazuar në Ligjin për Prokurim Publik me nr. 2003/17 i vitit 2008, i cili ka qenë në fuqi në kohën e lidhjes se kontratës, me nënshkrimin nga zyrtari i prokurimit të PTK-se dhe përfaqësuesi i ‘Amdocs’, kontrata hynte në fuqi ndërsa nënshkrimi nga kryeshefi Shyqyri Haxha nuk kishte kurrfarë detyrimi për PTK-në”, deklaroi Sadikaj.

Haxha nuk ishte i pranishëm në seancë. Ai akuzohej se me dashje dhe me qëllim që t’i shkaktojë dëme PTK-së, pati vepruar në kundërshtim me autorizimet ligjore me kompaninë “Amdocs Development Limited”.

PTK-ja, në vitin 2010 e pati shkëputur kontratën e njëanshëm me këtë kompani, e cila më pas inicioi procedurë në Arbitrazh dhe fitoi rreth 10 milionë euro kompensim.

Krahas kësaj, Haxha vite me parë ishte akuzuar edhe për lidhje të një kontrate të dëmshme me Z-Mobile, nga e cila akuza ishte liruar më 2013. Ai për këtë rast akuzohej bashkë me Blerim Devollin, Shkëlqim Devollin, Ismet Bojkun dhe Rexhë Gjonbalaj.

Këto akuza Haxha i interpretoi si përndjekje kundër tij, teksa e akuzoi Prokurorinë se është nën ndikim të politikës.

“Kanë qenë katër raste, rast pas rasti asnjëherë as nuk ka pasur dëshmitar kundër meje, as dëshmi faktike, asnjëherë. Ka qenë ndjekje që të më pamundësohet që të veprojë në Kosovë dhe faktikisht kanë qenë konsistente. Që nga viti 2009 e deri më tash kam qenë nën hetime, nën përndjekje, rast pas rasti”, tha Haxha.

Por, Ismet Hamiti, ekspert i telekomunikacionit, deklaroi se çdo gjykim i deritanishëm si dhe ky i së premtes janë bërë për ta amnistuar krimin.

“Ky është krimi që është shembull shkollor i krimit të organizuar. Ky individ është përdorur si vegël, por kriminelët e vërtetë janë ata që janë prapa. Strategjia është të akuzohen, të gjykohen dhe të lirohen për t’u amnistuar, jo vetëm ata individë, por krimi në tërësi, prapa të cilit qëndrojnë të paprekshmit”, u shpreh Hamiti.

Në vitin 2016, Hamiti i pati shkruar letër publike kryeprokurorit të atëhershëm të Shtetit, duke e kërkuar nisjen e hetimeve ndaj njerëzve përgjegjës për kontratën e dëmshme. Porse Prokuroria nuk e kishte marrë parasysh kërkesën.

“Edhe ‘humbja’ në ‘arbitrazh’, është skemë e ideuar nga nivelet më të larta të pushtetit. Me këtë skemë, synohet të plaçkiten edhe mbi 30 milionë euro të pasurisë publike dhe ata individë që e kurdisën krejt këtë janë pjesë e të njëjtit grup kriminal”, thuhej në letrën e tij.

PTK-ja dikur ishte ndërmarrje që gjeneronte më së shumti të hyra në buxhet. Porse nënshkrimi i kontratave të dëmshme, keqmenaxhimi, mungesa e llogaridhënies e kanë sjellë atë buzë falimentimit.