Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Telekomi kërkon përgjegjësi se kush i shkaktoi dëmet me nënshkrimin e kontratave të dëmshme

Pas lirimit nga akuzat e ish-kryeshefit të Telekomit, Shyqyri Haxha, kjo ndërmarrje, nëpërmjet një reagimi, ka kërkuar sqarim se kush bart përgjegjësitë për dëmet që janë shkaktuar nga kontratat e dëmshme. Në Telekom thonë se dëmet janë mbi 100 milionë euro. E njohësi i telekomunikacionit, Ismet Hamiti, thekson se për dëmet në Telekom duhet kërkuar përgjegjësi nga të gjithë ata që ishin në krye të kësaj ndërmarrjeje që nga viti 2007

Telekomi i Kosovës kërkoi të martën sqarime se kush i bart përgjegjësitë për dëmet e shkaktuara me rastin e nënshkrimit të kontratës me “Amdocs Development Limited”, pasi që ish-kryeshefi i ndërmarrjes, Shyqyri Haxha, është liruar nga akuza.

Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi të premten që ta lirojë Haxhën nga kjo akuzë, me pretendimin se nënshkrimi i kontratës ishte i natyrës vetëm ceremoniale.

Por, në Telekom nuk e konsideruan si të tillë, teksa nëpërmjet një reagimi përmendën edhe dëmet të tjera të shkaktuara nga nënshkrimet e tilla, për të cilat Haxha nuk e pranoi përgjegjësinë.

“Fatkeqësisht ky nuk është i vetmi nënshkrim “ceremonial” për të cilin z. Haxha nuk pranon përgjegjësi, edhe pse nga një kontratë tjetër e tillë, Telekomi i Kosovës është dëmtuar në vlerën prej mbi 100 milionë eurosb. Edhe për këtë kontratë (me Z-Mobile), e cila për pak e fundosi Telekomin e Kosovës, deri më sot drejtësia kosovare jo vetëm që nuk arriti të nxirrte përfundime, por as të hetojë seriozisht, edhe pse Telekomi i Kosovës tashmë i ka dorëzuar paditë/kallëzimet penale në institucionet përkatëse të drejtësisë”, thuhet në reagimin e Telekomit.

Udhëzimet e Gjykatës për inicimin e kontestit civil, sipas Telekomit, e turpërojnë gjyqësinë kosovare dhe e amnistojnë krimin ndërsa bëhet fjalë për një nga aferat më të mëdha të keqpërdorimit të parasë publike.

Edhe Telekomi kërkon përgjegjësin “për nënshkrimet ‘ceremoniale’ me pasoja katastrofale” Arbëri Telekomi kërkon përgjegjësin “për nënshkrimet ‘ceremoniale’ me pasoja katastrofale”

Haxha akuzohej për lidhjen e kontratës me “Amdocs“, e cila ishte shkëputur pak kohë pas lidhjes në mënyra të njëanshme, që u pasua edhe me një vendim të Arbitrazhit që i shkaktoi Telekomit një dëm prej 10 milionë eurosh.

Kontrata ishte ndërprerë pas kërkesës së Qeverisë, si aksionare, e cila pati kërkuar që të ndalen investimet në PTK, duke e përgatitur ndërmarrjen për privatizim.

Por, sipas Ismet Hamitit, ekspert i telekomunikacionit, që nga viti 2007, të gjithë ata që ishin në bordet e PTK-së kanë bërë krim me veprimet dhe mosveprimet e tyre.

Ai e përmend edhe kontratën me Z-Mobile, që ishte nënshkruar nga Haxha e që, sipas tij, ishte më e dëmshmja.

Edhe Ish-kryeshefi i PTK-së lirohet nga akuza për lidhje të kontratës së dëmshme LAJMET E MBRËMJES Ish-kryeshefi i PTK-së lirohet nga akuza për lidhje të kontratës së dëmshme

“Përmes kontratës së PTK-së me Z-Mobile është krijuar një mekanizëm “legal” për plaçkitjen e pasurisë publike me përmasa të mëdha, ideatorë të të cilit janë individë në nivelet më të larta të pushtetit e zbatues janë veglat e tyre në PTK dhe në institucionet e shtetit. Nuk ka asnjë dyshim se të gjithë ata janë vegla të individëve në nivelet më të larta të pushtetit, që janë kupola e këtij grupi kriminal”, ka vlerësuar Hamiti.

Institucionet e drejtësisë deri më tash, kanë ngritur aktakuza për disa ish-zyrtarë të Telekomit, porse ndaj asnjërit prej tyre nuk ka pasur dënim.