Me gjithë raportimin e KOHËS dhe reagimin nga përfaqësues të shoqatës “Handikos”, në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar as të martën nuk kanë dhënë përgjigje në pyetjen përse personat me paralizë nuk e kanë marrë asnjë prej 4 mijë e 250 pajisjeve, të cilat kjo instancë i ka kontraktuar për ta rreth një vit më parë, në vlerë prej 6 milionë eurosh. Në një reagim prej gjashtë paragrafësh, të cilin SHSKUK-ja e ka adresuar të martën, askund nuk jepet përgjigje për vonesën e shpërndarjes së këtyre pajisjeve te personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, porse është theksuar që pranimi i aplikacioneve pritet të fillojë gjatë javës së ardhshme
As tre ditë pas raportimit të KOHËS dhe dy pas reagimit nga përfaqësues të shoqatës “Handikos”, në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK) nuk kanë dhënë përgjigje në pyetjen se përse personat me paralizë nuk e kanë marrë asnjë prej 4 mijë e 250 pajisjeve, të cilat kjo instancë i ka kontraktuar për ta rreth një vit më parë, në vlerë prej 6 milionë eurosh.
Në një reagim prej gjashtë paragrafësh, të cilin SHSKUK-ja e ka adresuar të martën, askund nuk jepet përgjigje për mosrealizimin e shpërndarjes së pajisjeve te personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, porse është theksuar që pranimi i aplikacioneve pritet të fillojë gjatë javës së ardhshme.
“Pranimi i aplikacioneve pritet të fillojë gjatë javës së ardhshme, duke u zhvilluar në përputhje të plotë me kornizën ligjore dhe administrative në fuqi”, është thënë në reagimin e SHSKUK-së.
KOHA ka raportuar të shtunën se me gjithë që janë bërë një vit prej kur SHSKUK-ja ka lidhur kontratë prej 6 milionë eurosh për blerjen e 4.250 pajisjeve që do të ofroheshin falas për personat paraplegjikë e tetraplegjikë, asnjë prej tyre nuk ka mbërritur te pacientët në nevojë.
Të hënën, lidhur me çështjen kanë reaguar në shoqatën “Handikos”, në të cilën kanë theksuar se nuk kanë pranuar përgjigje nga SHSKUK-ja rreth vonesave në këtë proces. Në “Handikos” kanë shprehur shqetësimin për vonesat teksa kanë kërkuar që SHSKUK-ja dhe Ministria e Shëndetësisë të ndërmarrin veprime urgjente për zhbllokimin e procesit.
“Veçanërisht shqetësues është fakti se një pjesë e këtyre pajisjeve kanë afat të kufizuar përdorimi dhe ekziston rreziku që ato të dëmtohen ose të bëhen të papërdorshme nëse nuk shpërndahen në kohë. Kjo situatë jo vetëm që përbën humbje të investimit publik, por edhe përkeqëson më tej gjendjen e personave me aftësi të kufizuara, të cilët i kanë të domosdoshme këto pajisje për përfshirje dhe funksionim të pavarur në jetën e përditshme”, kanë thënë në “Handikos” të hënën.
E reagimin ndaj “Handikosit”, SHSKUK-ja e ka dërguar edhe në adresë të KOHËS, si përgjigje për pyetjet e parashtruara 11 ditë më parë. Por SHSKUK-ja nuk ka dhënë përgjigje në pyetjet konkrete që ia ka shtruar KOHA se kur ka përfunduar blerja e pajisjeve, ku ndodhen ato aktualisht, përse nuk ka nisur deri më tani pranimi i aplikacioneve të përfituesve dhe çka do të ndodhë me ato produkte që kanë pasur afat skadimi prej 12 muajsh dhe 2 vjetësh.
Kontrata që nuk ka nisur të zbatohet dhe së cilës i kanë mbetur edhe një vit kohë për realizim të tërësishëm, parasheh furnizimin e personave me aftësi të kufizuara me produkte të ndryshme, përfshirë karroca speciale për fëmijë, karroca elektrike, karroca tualeti, lloje të ndryshme të patericave, tavolina ushqimi, ashensorë elektrikë për pacientë, shtretër elektrikë, jastëkë dhe dyshekë antidekubitues.
Para se të nënshkruhej kontrata, ajo u pati ankimuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) nga një operator ekonomik lidhur me dyshimet për tender të përshtatur. Në raportin e ekspertit theksohet se SHSKUK-ja ka shkurtuar afatin kohor për dorëzimin e ofertave me arsyetimin për nevojë urgjente dhe ka konstatuar se disa nga kriteret teknike janë përshtatur për vetëm një prodhues. Këto janë konfirmuar si shkelje edhe nga paneli shqyrtues i OSHP-së, por i cili për shkak të “natyrës së ndjeshme” të furnizimit, nuk e ka anuluar tenderin. E ani se gjatë tenderimit SHSKUK-ja e ka përdorur arsyetimin e urgjencës, atë nuk e ka aplikuar edhe gjatë procesit të shpërndarjes.
Për mosshpërndarjen e pajisjeve për personat e paralizuar, përgjigje nuk kanë dhënë të martën as në Ministrinë e Shëndetësisë, e cila sipas Udhëzimit Administrativ për caktimin e listës, llojeve dhe pajisjeve ndihmëse që ofrohen falas për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, e bën emërimin e komisionit vlerësues për pajisje ndihmëse falas e që cili obligohet të raportojë te ministri.
Në qershorin e 2024-tës, ministri në detyrë i Shëndetësisë e kishte prezantuar si një të arritur të Qeverisë investimin në vlerë mbi 6 milionë euro për blerjen e këtyre pajisjeve.