Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se mungesa e kuorumit në Kuvend, po shkakton probleme në vendimmarrje. Ai kritikoi edhe disa bashkëpartiakë të tij, për të cilët tha se po e vendosin interesin personal para atij publik. Kryesia ka autorizuar një komision të Kuvendit që të punojë në hartimin e një ligji të iniciuar nga AAK-ja, me të cilin synohet disiplinimi i deputetëve
Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka kërkuar të premten më shumë disiplinë nga deputetët, tek i është referuar mungesës së pjesëmarrjes së tyre në votim dhe në seanca të Kuvendit.
Grumbullimi i pikave të papërfunduara, sipas Konjufcës, ka ndodhur si rezultat i bojkotimit të shpeshtë që opozita ia bën votimit të projektligjeve, por edhe si pasojë e mungesës së disa deputetëve të pushtetit, të cilët sipas tij, po e vendosin interesin personal para atij publik.
“Kemi hyrë në këtë cikël ku opozita në shumicën e rasteve nuk po i voton projektligjet e Kuvendit dhe ne jemi në një situatë kur po varet ekskluzivisht prej mazhorancës. E deputetët e mazhorancës qe besa herë po kanë udhëtime, e ndonjëherë nuk e përjashtoj që disa prej tyre – e nuk është numër i madh, është numër i vogël që mund të numërohen në gishta por kaq po mjafton – ndoshta në momente të caktuara t’i vendosin punët e tyre private dhe personale para punës së Kuvendit”, ka thënë kryeparlamentari Konjufca.
Gjatë përpilimit të rregullores së re të Kuvendit, e cila u miratua në korrik të vitit të kaluar, ishte diskutuar që të përfshihej sanksionimi i deputetëve që mungojnë në seanca.
Kjo nuk është bërë me arsyetimin se është kundër parimeve të demokracisë.
Por, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka propozuar të premten në Kryesi një ligj që synon disiplinimin e deputetëve. Ai tha se në kryesi janë pajtuar që Komisioni për Legjislacion ta nisë punën për hartimin e këtij ligji.
“Ligji për deputetë vendos korniza të caktuara të përgjegjësisë, të kompensimit, të sanksionimit të një deputeti”, ka thënë Tahiri.
Pas mbledhjes së kryesisë, përfaqësues të subjekteve politike janë deklaruar edhe për zgjedhjet e parakohshme në veriun e banuar me serbë, që pritet të mbahen këtë muaj.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka insistuar që zgjedhjet duhet të mbahen.
“Ne u kërkojmë të gjitha institucioneve kushtetuese, të sigurojnë qetësi dhe kushte e siguri që këto zgjedhje të mbahen në mënyrë të lirë dhe demokratike”, ka thënë Tahiri. “Te ne nuk mund të imponohet vullneti i Beogradit. Duhet të merret parasysh vullneti i qytetarëve që jetojnë në atë pjesë të Kosovës. Besoj që ka mjaft vend që edhe faktori ndërkombëtar të ketë një presion dhe trysni”.
E deputeti i LVV-së, Armend Muja, ka thënë se Beogradi zyrtar nuk duhet të interferojë në zgjedhjet në veri.
“Zotëri Vuçiq le të largohet larg nga zgjedhjet dhe sistemi politik i Kosovës. Është me rëndësi që ai të mbetet, edhe ashtu është i tepërt për Serbinë, dhe do të na kursente të mos interferonte në çështjet e brendshme të Kosovës”, ka thënë ai.
Kryesia vendosi që javën e ardhshme të mbahen dy seanca. Njëra të mërkurën për t’i trajtuar pikat e papërfunduara, e për të enjten është caktuar seancë e re plenare.