Ka dështuar edhe të mërkurën seanca e Kuvendit, si pasojë e mungesës së kuorumit. Punimet i pamundësoi mungesa e deputetëve të pushtetit, por edhe mospjesëmarrja e atyre të opozitës në votim. Brenda një jave, kjo është seanca e dytë që dështon për mungesë kuorumi. E për papërgjegjësinë e deputetëve, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, paralajmëroi mekanizma mbikëqyrës
Ora dhjetë e së mërkurës do të duhej t’i gjente deputetët në seancë, për t’i shqyrtuar 37 pika të rendit të ditës që janë grumbulluar nga tetë seanca të papërfunduara.
Por seanca nuk nisi as në orën 11, shkaku i mungesës së deputetëve të pushtetit për ta mundësuar kuorumin vendimmarrës, përderisa ata të opozitës, ani se ishin në sallë, deklaruan se nuk do të marrin pjesë në votim.
E kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, para se t’i jepte shumicës një orë e gjysmë kohë për ta siguruar praninë e deputetëve të nevojshëm, shprehu zhgënjim për qasjen e ligjvënësve karshi seancave.
“Qysh po e shoh këtë sjellje të papërgjegjshme të disa deputetëve, unë nuk po mendoj se kjo legjislaturë e meriton të vazhdojë”, ka thënë Konjufca.
Deputetët arritën në sallë në orën 12 e gjysmë, porse edhe pas gjysmë ore tjetër pritje, prapë nuk u sigurua kuorumi dhe seanca dështoi.
Që prej javës së shkuar, nga tri seancat e caktuara, dy syresh dështuan për mungesë kuorumi.
Kryeparlamentari Konjufca e kualifikoi si sjellje të papërgjegjshme mospjesëmarrjen e deputetëve në seanca dhe në votime, ndërkaq paralajmëroi mekanizma shtesë për ngritjen e përgjegjësisë individuale të tyre.
“Mua po më duket që në atë fazë jemi, në atë proces jemi. Të mundohemi ta balancojmë mes asaj që të krijojmë mekanizma që nuk duken shumë shtrëngues dhe policorë, nuk e cenojnë pavarësinë dhe lirinë e deputetit, por në anën tjetër po na duhet edhe një mbikëqyrje. Na nevojitet edhe një mbikëqyrje për arsye se duke e lënë kështu vetëm në përgjegjësinë individuale ju po i shihni edhe rezultatet” ka shtuar Konjufca.
Për dështimin e seancës, nga opozita u shprehën kritika ndaj partisë në pushtet.
“Kjo mënyrë e papërgjegjshme e drejtimit të këtij Kuvendi nga kjo mazhorancë normalisht se duhet të ketë një fund diku. Nuk mund të vazhdojë kështu dhe nuk mund të ketë projektligje të rëndësishme për vendin të pavotuara”, ka thënë shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri.
Por i pyetur se përse deputetët opozitarë nuk e mundësuan vazhdimin e seancës, dështimi i së cilës u tha se i bën dëm të madh vendit, përfaqësues të subjekteve opozitare nuk morën përgjegjësi.
“Përgjegjësia jonë është të jemi në seancë. Opozita ishte në seancë. Deputetët tanë ishin në seancë. Nuk kemi ne përgjegjësi t’i votojmë ligje kësaj Qeverie”, ka thënë Besnik Tahiri, shef i GP të AAK-së.
E këtë mënyrë të perceptimit të punës së opozitës në Kuvend, deputeti i Vetëvendosjes, Dimal Basha, e kualifikoi nënçmim ndaj qytetarëve. Ai shtoi se çdo deputet, pa marrë parasysh spektrin politik të cilit i përket, duhet të thirret në përgjegjësi nëse nuk e mundëson mbarëvajtjen e seancës.
“I kemi disa deputetë që për arsye shëndetësore nuk janë në Parlament dhe kjo po besoj është e arsyeshme. Por ka edhe deputetë të papërgjegjshëm për arsye që unë nuk i di, për shkak se unë nuk jam përgjegjës për atë punë, që nuk vijnë nëpër seanca. Po mendoj që është dembeli dhe goxha njëfarë nënçmimi para qytetarëve që e kemi marrë mandatin, të mos vihet në seancë”, ka thënë Basha.
Në procedurë të shqyrtimit, Kuvendi aktualisht i ka mbi 50 projektligje, më shumë se gjysma e së cilëve kanë mbetur të papërfunduara që nga vitet 2021 dhe 2022.