LAJMET E MBRËMJES

Hysri Selimi akuzohet se me urdhër të BIA-s iu bashkua ISIS-it

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për spiunazh ndaj Hysri Selimit. Sipas aktakuzës, Selimi për gati 16 vjet ka bashkëpunuar me Agjencinë për Inteligjencë dhe Siguri të Serbisë. E në aktakuzën e siguruar nga KOHA thuhet se me kërkesë të BIA-s, Selimi i është bashkuar grupit terrorist të ISIS-it në Siri për të dërguar informacione mbi shqiptarët që kanë marrë pjesë në konfliktin në Lindjen e Mesme

Me kërkesë të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë në Serbi (BIA), Hysri Selimi, i është bashkuar organizatës së Shtetit Islamik (ISIS), është specifikuar në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale dhe e cila e ngarkon atë me veprën penale të spiunazhit.

Selimi u pati arrestuar më 6 maj të këtij viti, nën dyshimin se i ka dërguar informata BIA-s së Serbisë, dhe që prej asaj kohe ai ka qenë në paraburgim. I njohur me pseudonimin “Abusead Kosova”, Selimi është dënuar në vitin 2022, pasi që është vërtetuar se ka qenë pjesë e ISIS-it gjatë luftës në Siri.

Në aktakuzën e ngritur ndaj tij dhe të cilën e ka siguruar KOHA thuhet se Selimi i ka shërbyer BIA-s për një periudhë kohore prej afro 16 vjetësh, duke nisur nga nëntori i vitit 2009 e deri në arrestimin e tij në majin e sivjetmë.

E gjatë kësaj periudhe, në aktakuzë thuhet se ai ka ofruar informacione në lidhje me veprimtarinë e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare (UÇK), për vrasjet gjatë luftës në Kosovë, për personat e radikalizuar dhe për numrin e pjesëmarrësve nga Kosova në luftën në Siri.

“Sipas udhëzimeve dhe kërkesave të zyrtarëve të BIA-së, i njëjti me dt. 22.11.2015 kishte udhëtuar në Siri, përmes aeroportit të Stambollit, me mision të caktuar nga BIA, fillimisht duke iu bashkuar organizatës terroriste ISIS, pastaj dërgimin e informacioneve te zyrtarët e BIA-së, në lidhje me numrin e pjesëmarrjes së shqiptarëve në organizatën terroriste ‘ISIS’, organizimin e tyre dhe në cilat pjesë të Sirisë operonin ata”, thuhet në aktakuzën e siguruar nga KOHA.

Në aktakuzë ofrohet edhe transkriptimi i deklaratës që Selimi e ka dhënë para Prokurorisë e në të cilën ka thënë se për të udhëtuar drejt Sirisë ka kërkuar nga BIA një shtëpi në Ulqin, me vlerë prej 500 mijë eurosh, një veturë të mirë dhe pagesë mujore prej 1000 eurosh.

Si pikë kontakti, sipas aktakuzës, Selimi e ka pasur drejtorin për Luftimin e Terrorizmit në kuadër të BIA-së, Igor Babiq, dhe një person tjetër. Me ta ai ka pasur takime në Vranjë, Nish dhe Bujanovc, thuhet në aktakuzë.

“...Të cilët i informonte në bazë të detyrave që ia kishin caktuar paraprakisht, e që kishin të bënin me informacionet në lidhje me persona të radikalizuar dhe zhvillimin e rrymave vehabiste në Kosovë, ndikimin e tyre, numrin dhe funksionimin e ‘mesxhideve’, si dhe informata të tjera të rëndësishme, ndërsa si shpërblim për këto informacione, zyrtarët e BIA-s e paguanin deri në 700 euro në muaj”, theksohet në dokument.

Akti akuzues përmend gjithashtu se Prokuroria i është drejtuar Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI) për informata lidhur me Babiçin.

“Sipas këtij konfirmimi zyrtar të AKI-së, Igor Babiç është punësuar në këtë shërbim me dt. 1.12.2002, ndërsa nga data 6.12.2019 është emëruar në pozitën zyrtar administrativ në kuadër të BIA-s. Për më shumë, i njëjti person mban pozitën shef kundër terrorizmit për të ashtuquajturën ‘Serbia Jugore’, që përfshin edhe një pjesë të Kosovës”, thuhet në aktakuzë.

Prokuroria, sipas aktakuzës, ka evidentuar tetë kalime të Selimit në pikën kufitare te Dheu i Bardhë brenda 2023-tës dhe 2024-tës, gjatë të cilave ai ka udhëtuar drejt Serbisë dhe është kthyer brenda ditës.

Një në njërën nga vizitat e tij, siç thuhet në aktakuzë, institucionet e sigurisë e kanë përcjellë Selimin prej kur ka dalë nga banesa e tij në Prishtinë e deri kur ka mbërritur në Vranjë, e prej ku janë shkrepur edhe fotografi të takimit të Selimit me Babiçin dhe me një person tjetër, të identifikuar me emrin Nikolla.

Pas arrestimit, Selimit i janë konfiskuar tre telefona në të cilët janë gjetur materiale të shumta që ai i ka ruajtur për t’ia përcjellë BIA-s.

Në një nga komunikimet me SMS, Selimi ka shprehur shqetësimin për arrestimin e Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit nën dyshimin për spiunazh.

“‘A keni dëgjuar për këtë lajm’, ‘A është e mundshme të kem ndonjë problem’. ‘Pavarësisht unë udhëtoj si njeri i lirë’. Ndërsa, zyrtari i BIA-s i përgjigjet: ‘Jo bre, çfarë lidhje ke ti, shihemi nesër rreth orës 08:30’”, përshkruhet në aktakuzë përmbajtja e SMS-së.

Sipas dokumentit të Prokurorisë, në telefonin e Selimit janë gjetur edhe materiale që kanë të bëjnë me detyrën që ai e ka pasur gjatë kohës sa ka qenë në Siri.

“Nga telefoni i të pandehurit janë gjetur edhe 6 fotografi, ku shihen dorëshkrime në një fletore (ose fletë), ku fotoja e parë pasqyron një listë me emra të grave të cilat kanë qenë në Siri në kohën e luftës atje, burrave dhe fëmijëve të tyre, dhe është e shkruar me dorëshkrim, e cila, pas ndërlidhjes me provat e tjera është mbajtur si shënim nga i pandehuri për ta ofruar si informacione te zyrtarët e BIA-s”, theksohet në aktakuzë.

Në fotografitë e shfaqura në dokument ka imazhe të SMS-ve që Selimi ia ka dërguar Babiçit dhe në të cilat e ka njoftuar për vrasjen e rreshterit policor, Muhamed Lika, në Kaçanik dhe ia ka dërguar edhe emrat e të arrestuarve lidhur me rastin.

Babiçi, të cilin Selimi e ka pasur të regjistruar në telefon me emrin kontaktues “Agoni”, e pyet të akuzuarin për spiunazh nëse të arrestuarit për vrasje kanë qenë të lidhur me persona që kanë qenë të afërt me Lavdrimin. Në aktakuzë përmendet disa herë se Babiçi ka kërkuar në vazhdimësi informacione lidhur me persona të radikalizuar. Aty jepet edhe transkriptimi i deklaratës së Selimit në prokurori.

“Igori nga unë kërkonte gjithmonë emrat e hoxhallarëve të sektit vehabist, aktivitetin e tyre, rastin e djalit tim se me kë po shoqërohet, nga po financohen, duke pyetur se a po shoqërohen me grupe nga Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi. Igori më shumë interesohej për vehabista, për hoxhallarët si Zeqirja Qazimi, Nagip Latifi, Llukmani nga Gjilani, Rexhep Memishi, etj”, ka deklaruar Selimi në Prokurori, sipas aktakuzës.

Në videot që i ka siguruar Prokuroria pas konfiskimit të telefonave të Selimit, thuhet se ai e ka bërë incizimin e personave pas faljes se Xhumasë në një xhami në Lagjen e Spitalit në Prishtinë, me qëllim që ato t’ua dërgojë zyrtarëve të BIA-s.

“‘Agoni’ interesohet për personat të cilët mbajnë tubime (Mexhlise - ku ligjërohet për fenë islame) dhe për personat që i mbajnë këto ligjërata, ndërsa i dyshuari Hysri Selimi i dërgon disa fotografi Agonit (zyrtarit të BIA-s, Igor Babiq) të cilat i ka nxjerrë nga rrjetet sociale e që pasqyrojnë personat e ekstremit fetar islam në Kosovë”, shkruan në dokument.

Në aktakuzë thuhet po ashtu se Selimi e ka pranuar bashkëpunimin me BIA-n dhe se këtë e ka bërë me arsyetimin se është shtyrë nga situata e rëndë financiare, por ka deklaruar se asnjëherë nuk e ka pasur qëllim dëmtimin e Kosovës.

Prokuroria Speciale dhe Selimi nuk kanë arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë dhe pritet që në ditët në vijim, Gjykata Themelore në Prishtinë ta caktojë datën për fillimin e gjykimit ndaj tij.

Çka deklaroi Hysri Selimi në Prokurori?

1 o. më parë / 11 sht 2025 21:20
Hysri Selimi

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për spiunazh ndaj Hysri Selimit. Sipas aktakuzës, Selimi për gati 16 vjet ka bashkëpunuar me Agjencinë për Inteligjencë dhe Siguri të Serbisë. E në aktakuzën e siguruar nga KOHA thuhet se me kërkesë të BIA-s, Selimi i është bashkuar grupit terrorist të ISIS-it në Siri për të dërguar informacione mbi shqiptarët që kanë marrë pjesë në konfliktin në Lindjen e Mesme.

Në aktakuzë ofrohet edhe transkriptimi i deklaratës që Selimi e ka dhënë para Prokurorisë e në të cilën ka thënë se për të udhëtuar drejt Sirisë ka kërkuar nga BIA një shtëpi në Ulqin, me vlerë prej 500 mijë eurosh, një veturë të mirë dhe pagesë mujore prej 1000 eurosh.

Si i nisi takimet me “shefin kryesor të terrorizmit në BIA”?

“Meqenëse në vitin 2013 djali im G. u burgos në Kosovë për shkak të terrorizmit, atëherë jam vënë në kontakt me zyrtarin e BIA-së, Igor Babiq, i cili në atë takim më ka njoftuar se Igori është përgjegjës për terrorizëm, ku Igori më ka thënë se jam shefi kryesor i terrorizmit në BIA. Nga aty kam vazhduar takimet me Igor Babiq, dhe me të njëjtin jemi marrë vesh që për informacionet që do t’ia jap, ai në fillim do të më paguante 200 euro në muaj, ndërsa më vonë ka filluar të më paguante 250 euro. Igori nga unë kërkonte gjithmonë emrat e hoxhallarëve të sektit Vehabist, aktivitetin e tyre, rastin e djalit tim se me kënd po shoqërohet, nga po financohen, duke pyetur se a po shoqërohen me grupe nga Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi. Igori më shumë interesohej për Vehabistët, për hoxhallarët si Zeqirja Qazimi, Nagip Latifi, Llukmani nga Gjilani, Rexhep Memishi etj.”, citohet të ketë thënë Selimi.

Çka ka deklaruar ai për shkuarjen në Siri?

“Po, në lidhje me shkuarjen time në Siri kam pasur kërkesa të vazhdueshme nga BIA, duke më ofruar 5000 euro vetëm të shkoj në Siri, dhe t’i bashkëngjitem grupeve terroriste atje. Nga Igori dhe shefi i Igorit, jam udhëzuar që të shkoj në Siri dhe të marr informacione rreth grupeve shqiptare, se si po luftojnë atje, si janë të organizuar dhe ku po gjenden. Gjatë takimit që e kam zhvilluar në Vranjë me Igorin dhe shefin e tij, i cili e ka pasur një pikë të zezë në faqe, ka qenë zeshkan, më ka thënë se çka kërkon ti që të shkosh në Siri. Unë kam kërkuar nga ata që të më japin një shtëpi në Ulqin, një pagë mbi 1000 euro në muaj dhe një veturë të mirë. Dua të potencoj që shtëpia që e kam potencuar që të ma blejnë ka qenë shtëpia e një personi me emrin Selver, me një vlerë rreth 500.000 euro. Të gjitha këto kërkesa që i kam parashtruar para zyrtarëve të BIA-së për të shkuar në Siri, i ka pranuar shefi i Igorit, siç e ceka, një person zeshkan me një pikë në faqe, i cili dukej të jetë i plotë, dhe më ka premtuar se të gjitha kërkesat tuaja do të realizohen. Para se të nisem në Siri, Igori më ka dhënë 800 euro dhe tre telefona me qëllim që të komunikoj me ta në lidhje me informacionet që do t’i siguroja në Siri. Kam shkuar përmes Stambollit më datë 22.11.2015, së bashku me vajzën dhe gruan, dhe kemi mbetur pa para, ku kemi shkuar në një xhami për të pushuar dhe kam kërkuar nga Igor Babiq të më dërgojë para, se kemi mbetur rrugëve. Igori pastaj më ka thirrur në telefon dhe më ka thënë se t’i kam dërguar 400 euro përmes një autobusi që ka udhëtuar nga atje nga Novi Pazari, dhe më ka thënë shko merri te një hotel me emrin “Pajaziti”. Më pas kam dalë në Siri dhe iu kam bashkangjitur ISIS-it, duke mos e ditur që është organizatë terroriste dhe për shkakun që nuk kam pranuar të pajisem me armë, për arsye se nuk kam ardhur me luftuar por kam ardhur me martuar vajzën, dhe më kanë mbajtur në burg për një kohë të gjatë. Për këtë rast veç jam i dënuar nga Gjykata në Kosovë.”

Në pyetjen e prokurorit të shtetit, se kur jeni kthyer në Kosovë dhe pasi keni dalë nga burgu, a keni vazhduar komunikimin me zyrtarët e BIA-së? I pandehuri përgjigjet:

“Nga shtatori i 2023 jam takuar me Igor Babiqin dhe me të njëjtin kemi vazhduar bashkëpunimin, dhe për informacionet që m’i kërkonte Igori e që kishin të bënin me grupet Vehabiste, mexhliset, unë jam paguar nga Igori në shumë prej 500 euro. Ndërsa kur mungoja më paguante nga 700 euro, dhe kryesisht janë ato gjëra që kam dëgjuar që kanë dalë në media e të gjitha janë të miat, të gjitha këto veprime i kam marrë unë.”