Prishtinë, 20 mars - Në Teatrin Kombëtar të Kosovës, të dielën, është mbajtur akademi përkujtimore për të shënuar 32-vjetorin e helmimeve të nxënësve gjatë regjimit të ish-Jugosllavisë.
Në këtë përvjetor munguan zyrtarë institucionalë, por nuk munguan kritikat ndaj tyre. Historianë e mjekë kritikuan institucionet vendëse për mungesë të veprimeve për të vendosur drejtësi për të helmuarit.
Autori i librit “E vërteta për helmimet”, Halim Hyseni, kërkoi që historia e të helmuarve të përfshihet në kurrikulat e arsimit fillor dhe atij të mesëm në Kosovë.
“Shqetësimi më i madh imi është sepse ne vetë shqiptarët që jemi këtu, po e vëmë në dyshim një ngjarje, të cilën të gjithë ata që kanë qenë të asaj moshe çfarë unë jam, e kanë përjetuar në shpirt”, tha ai.
Siç tha ai, e ardhmja nuk mund të jetë e ndritshme kur nuk ka edukim patriotik.
“Unë sot haptazi po them se duhet ta varrosim këtë amnezi totale. Çka do të thotë, fëmijët tanë nuk i mësojnë në tekste shkollore, këto ngjarje nuk i kemi në kurrikula shkollore, prandaj harrohen gjërat”, tha pedagogu Hyseni para të pranishmeve.
Mjeku Besnik Bardhi, i cili ishte pjesëmarrës në simpoziumin “Kosova, sprovë e ndërgjegjes mjekësore”, që u mbajt në Zagreb më 9 qershor të vitit 1990, tregoi se para disa vjetëve u ka bërë kërkesë publike krerëve të institucioneve që të formojnë një komision shtetëror për hetimin e helmimeve.
"Unë u bashkohem parafolësve të mi lidhur me neglizhencën e lidershipit të Kosovës. Kaluan 22 vjet, unë e kam shkruar para 10 vjetëve një letër publike, në atë kohë ka qenë Fatmir Sejdiu president, Thaçi kryeministër. Kam kërkuar që në nivel shtetëror të formohet një komision për çështjen e helmimeve", tha ai, mes të tjerash.
Drejtësi për këtë akt të regjimit serb ka kërkuar edhe ish-deputetja Flora Brovina, që në atë kohë ishte doktoreshë e cila e pa nga afër tmerrin.
"Në Kuvendin e Kosovës kam ngritur çështjen. Lufta në ish-Jugosllavi realisht filloi me fëmijët e helmuar", tha ajo në akademinë përkujtimore.
Doktori Mazllum Belegu, i cili në atë kohë punonte në Qendrën e Transfuzionit të Gjakut, tha se mungesa në atë kohë e laboratorit toksikologjik ka penalizuar zbardhjen e rastit.
Mbi 7 mijë persona, kryesisht të rinj, u helmuan në marsin dhe prillin e vitit 1990. Disa nga ta kanë treguar për KOHËN se ende i vuajnë pasojat në shëndetin e tyre.
I gjithë akti dyshohet se u përgatit nga Shërbimi Sekret Ushtarak serb, i cili, sipas disa raporteve jozyrtare, dyshohet se përdori helmin sarin. Ky akt nuk u ndëshkua kurrë.