Në përvjetorin e helmimeve në mars të vitit 1990, ata që dikur pësuan nga helmet tregojnë për përjetimet e tyre, duke theksuar se prekja nga helmimi u ka lënë pasoja në shëndetin e tyre. Të helmuarit shprehen të zhgënjyer që institucionet vendore nuk kanë iniciuar asnjë padi ndaj Serbisë për këtë çështje. Ndërsa nga shoqëria civile janë shprehur skeptik se do të vendoset drejtësi për këtë rast
Ajo ka një lutje para se të nisë rrëfimin që e kthen 32 vjet prapa, në ngjarjet që në historinë e Kosovës së fundit të viteve ‘80 dhe në fillim të viteve ‘90, në kulmin e regjimit serb, u shënuan si helmime masive.
“Ti mos u bezdis nëse unë qaj gjatë rrëfimit”, thotë ajo. Është një prej nxënëseve të dikurshme që në prag të pranverës së vitit 1990 do të shkonte në shkollë sikurse çdo ditë tjetër. Por me 19 mars nuk do të ndihej mirë. E pos saj, njëjtë do të ngjante edhe me shumë kolegë. Qe viktimë e helmimit, si shumë të rinj të tjerë shqiptarë.
“M’u ngulit në kokë se do ngelja shterpë dhe nuk do kem fëmijë. Por jo, kam tre yje. Prandaj të gjitha problemet e tjera, ankthet, tiroiden e të tjera i tejkaloj pa bërë zë”, ka treguar ish-nxënësja, teksa ka kërkuar të mos i përmendet emri.
Problemet shëndetësore të mbi 7 mijë nxënësve e personelit arsimit do të quheshin aktrim kolektiv nga autoritetet e Serbisë. Por “regjia” qe pikërisht e pushtetit serb. Pas suprimimit të Autonomisë më 1989, në mars të vitit 1990, regjimi përdori helm kimik duke shkaktuar probleme në masë te shqiptarët e Kosovës. Objektiv ishin rinia e shkollave fillore dhe të mesme.
Kujtimet e marsit të vitit 1990 janë ende një ankth për të prekurit nga helmimi.
Zhgënjimi dhe fshehja e së vërtetës
Në përvjetorin e kësaj ngjarjeje, disa nga ata që u helmuan kanë treguar për KOHËN përjetimet e tyre, si dhe pasojat që u ka lënë në shëndetin e tyre gazi toksik.
Dy të helmuarit nga Komuna e Podujevës, ku edhe u përhap masivisht helmimi më 19 mars 1990, kanë thënë se ende vuajnë pasojat në shëndetin e tyre.
“Kam mbetur sot pak me pasoja, po them psikike, pasi ka qenë neurotoksike dhe pak kam nervozë, pak kam emocion, reagoj besa për çka do, kur shoh çfarëdo parregullsie, do me thënë më ka lënë me pasoja. Më vonë më 2019, kam pasur një ndërhyrje kardiokirurgjie me bypass në Prishtinë dhe më ka thënë mjeku se edhe ajo është si pasojë e helmimit”, ka thënë Nazmi Bajra, i cili ishte personi i parë që u helmua në shkollën “8 Nëntori” në Podujevë gjatë kohës që punonte si punëtor teknik.
“Kam qenë duke kaluar nga shkolla, kur i kam parë fëmijët e shtrirë në oborr, kam marrë disa nga të helmuarit dhe i kam dërguar në spital. Kur kam arritur në spitalin e Prishtinës, kam filluar me pas marramendje dhe kam rënë në tokë. Ky helmim mua më ka lënë pasoja në të pame, sidomos në dëgjim, më ka lënë pasoja edhe në eshtra”, ka thënë Idriz Gashi, duke shtuar se imazhi i nxënësve të helmuar shpeshherë i shkakton ankth.
Në bashkëbisedim me KOHËN, të helmuarit shprehën të zhgënjyer që detajet e këtij helmimi nuk u zbardhën asnjëherë.
Pushteti i atëhershëm nuk mbajti asnjë përgjegjësi për ngjarjen, por as nuk e pranoi se ishte helmim. Po ashtu punuan që e vërteta të mos kuptohej, ku shumë mjekë e aktivistë përfunduan të arrestuar, nën pretekstin se kanë inskenuar gjithë ngjarjen.
Doktori Mazllum Belegu, i cili në atë kohë punonte në Qendrën e Transfuzionit të Gjakut, ka treguar se si policia serbe i kishte detyruar pacientët të largoheshin nga spitali, duke u bërtitur të sëmurëve se po aktrojnë.
“Duke kaluar andej e pashë se si i nxirrnin pacientët nga klinika dhe u thoshin të shkojnë në shtëpi se nuk kanë kurrgjë. Sa dramatike ka qenë ai moment që t'i shohësh njerëzit që nuk mundnin të qëndrojnë në këmbë, rrëzoheshin, humbnin vetëdijen dhe atëherë ende ishin shenjat e helmimit”, ka thënë Belegu, duke shtuar se dridhjet e fëmijëve nuk i harron asnjëherë.
Por, presionit të autoritetit serb i bëri ballë mjeku me famë botërore, Bernard Kouchner, i cili tha publikisht se në Kosovë pati helmime. Qe ndër zërat që e sensibilizoi opinionit ndërkombëtar për këtë. Dhjetë vjet më vonë, më 1999 nga sekretari i Kombeve të Bashkuara u caktua kryeadministrator i Kosovës.
Përafërsisht rezultate të njëjta nxori edhe Aubin Heyndrickx, eksperti belg për shkencat toksikologjike dhe të ambientit. “Konkludojmë se është përdorur një gaz nervor organiko-kimik sarin dhe tabun që njihen si materie kimiko-luftarake”, thuhet në tekstin me “Çka ka të bëjë me Kosovën”, të publikuar më 1992.
Mungesa e gatishmërisë së institucioneve
Deri më tani nuk është dërguar ndonjë ankesë kundër Serbisë rreth këtij akti kriminal. Nga Qeveria nuk u përgjigjën pyetjeve të KOHËS nëse çështja e helmimeve do të ngritët në dialogun me Serbinë.
Ndërkaq, Behgjet Shala, nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë, ka thënë se nuk ka gatishmëri institucionale për të sjellë drejtësi për viktimat.
“Të vetmet dëshmi të asaj kohe janë raportet e mediave, janë deklaratat që janë dhënë te ne, eventualisht dikush që ka mbledhur ndonjë deklaratë ose ka ndonjë dosje personale apo familjare, përndryshe nuk ka diçka ndonjë material të strukturuar i cili do të shërbente si mundësi për të çuar rastin në gjykatë”, ka thënë ai. Ka gjetur edhe një tjetër shkas për këtë.
“Nuk ka gatishmëri që të shkohet përpara me këtë për faktin se çdo Qeveri që po vjen po e nis një punë, po bie ajo Qeveri, po vjen një Qeveri tjetër, po ia nis nga e para, po jep premtime, por zhvillimet e ngjarjeve po i zë tjetra, siç duket do të mbetet një ngjarje e cila do të na ndihmojë apo do të jetë pjesë e një kujtese historike të popullit shqiptar për një dhunë të planifikuar shtetërore në një periudhë të caktuar në kohën kur kanë filluar helmimet”, ka thënë Shala.
Nga Institucioni i Avokatit të Popullit kanë thënë se nuk kanë pranuar ankesë nga qytetarët në lidhje me helmimet dhe për këtë e kanë të pamundur të kërkojë drejtësi a të iniciojë ndonjë rast.
“Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) nuk ka pranuar ndonjë ankesë nga qytetarët në lidhje me helmimet e nxënësve gjatë viteve 1990. Avokati i Popullit nuk ka iniciuar këtë çështje pranë ndonjë gjykatë, kjo për shkak të kufizimit të mandatit. Edhe përkundër faktit që ka qenë një nga ngjarjet më të rënda të kohës, deri më sot nuk është arritur të trajtohet në aspektin ligjor dhe të jepet përgjigje për atë që ka ndodhur. Në këto rrethana është e pamundur që të veprojmë në instanca tjera”, thuhet në përgjigjen e dërguar nga Petrit Çollaku, zyrtar për komunikim në Institucionin Avokati i Popullit.
Helmimi preku mbi 7 mijë të rinj, kryesisht shqiptarë. Helmimi filloi në qytetin e Klinës, ndërsa u përhap masivisht më 19 mars 1990 në Komunën e Podujevës. Kjo i parapriu ngjarjeve që më vonë u përshkallëzuan në demonstrata për të drejtat e shqiptarëve deri në luftën për çlirimin e Kosovës.